TIRANË–  Konferenca e kryetarëve ka miratuar kërkesën e 19 deputetëve për të zhvilluar mocion me debat në lidhje me çështjen e Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së tashmë nën akuzë, për lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u shpreh se janë të gatshëm për zhvillimin e një mocioni me debat, ndërsa sa i përket kohës ai tha se ende nuk është caktuar, por vetë ka propozuar që debati të zgjasë 12 orë.

Në seancën e kaluar plenare, deputetët e Partisë Demokratike krijuan një situatë kaotike në Kuvend duke mos lejuar që të zhvillohet debati ndërmjet deputetëve. Opozita ka akuzuar në bllok Ramën se ka lobuar përmes zyrtarit të FBI-së kundër saj. Takimet e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së me kryeministrin Edi Rama, janë përdorur si ‘arsenal’ sulmesh nga opozita, të cilët e kanë akuzuar në bllok atë se ka lobuar përmes zyrtarit të FBI-së kundër saj. Por fotot që qarkullojnë tregojnë se McGonigal kishte lidhje edhe me Partinë Demokratike që aq ashpër akuzon qeverinë.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal  po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.