Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar sërish në lidhje me dosjen e inceneratorëve, ku ka publikuar disa vendime që mbajnë firmën e kryeministrit Edi Rama, dhe të vartësit të tij Erion Veliaj. Kryemadhi ngre pyetjen retorike se: Çfarë hetimi kërkohet më, kur është me firmë dhe me vulë?

Kryetarja e LSI-së vijon më tej dhe me akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, që ka shkelur ligjin për qeverisjen vendore, duke firmosur vetë në emër të këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Postimi i plotë i Kryemadhit:

Qytetarët presin me padurim goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar. Ja ku është koka e grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, me vasalin e tij, Erion Veliaj.

Edi Rama, si ideator i skemës së inceneratorëve dhe zbatues i saj, këtë radhë ka firmat mbi vendimet që i kanë dhënë jetë skemave.

Ndërsa Erion Veliaj firmos me urdhër të Ramës. Ku e gjen të drejtën, që në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, neni 54/dh, të marrë atributet e Këshillit Bashkiak? Ai ka grabitur duke lidhur taksat e qytetarëve, për 30 vjet me inceneratorin e Tiranës, me një vlerë në total 91,784,500 Euro pa Tvsh.

Jam e bindur se zbatimi i ligjit dhe leximi objektiv i provave nga ana e institucioneve të drejtësisë, do të mundësojë, që nga zyrat e shtetit, një e nga një, anëtarët e bandës famoze të inceneratorëve të përballen dhe të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.