Ngjajnë me qershinë, por janë krejt ndryshe. Po flasim për thanën, të ëmblin e të thartin frut.

Thana ka disa vendlindje, duke nisur nga Evropa jugore deri në Azi. Thanat rriten me bollëk në Shqipëri.

Shqiptarët i kanë shfrytëzuar më së miri metodat e shumta të konsumimit dhe shijimit të thanës.

Së pari, ne jemi të apasionuar pas thanave por edhe luleve të bukura ngjyrë të verdhë që i përdorim për zbukurim.

Fruti me bërthmë i thanës ka një farë të vetme që gjendet brenda në tul.

Thana e pjekur ka një diametër prej 1.5 centimetrash dhe një gjatësi prej një deri në dy centimetra. Forma e këtij fruti interesant i ngjan asaj të ullirit.

Kur thana piqet merr një ngjyrë fantastike të kuqe që ta bën zili. Shija e ëmbël, por edhe e thartë e thanës mund të përshkruhet si një trazim i qershisë dhe boronicës së kuqe.

Bima dhe pema e thanës rritet nga pesë deri në 12 metra gjatësi. Të huajt i thërrasin thanës si “Cornelian Cherry”, duke e krahasuar pjesërisht me qershinë.

Por thana nuk është si qershia. Druri i dendur i pemës së thanës është përdorur në lashtësi për të përgatitur armë, harqe e shtiza.

Thana është një pemë që rritet shumë lehtë dhe nuk ka nevojë për shumë mirëmbajtje. Ato janë pemë jetëgjatë dhe mjaft të bukura. Pema e thanës është një strehë e insekteve, si bletët dhe fluturat.

Pemët e dendura të thanës kanë edhe vlera në zbukurim dhe përdoren gjërësisht nëpër kopshte në të gjithë botën, jo vetëm për frutat por edhe për paraqitjen e bukur.

Këto pemë rriten në terrene të ndryshme qofshin pjellore, me rërë ose me baltë. Megjithatë, terreni ideal mbetet toka me lagështi që garanton rritjen e fuqishme të pemës.

Ruajtja e lagështisë së dheut përreth pemës së thanës është e nevojshme. Kjo pemë mund të lulëzojë edhe nën ndriçimin direkt të diellit edhe nën hije. Zakonisht ajo nuk ka nevojë për fertilizues.

Fruti ose kokrrat e thanës piqen në mes dhe në fund të verës. Ato konsiderohen të pjekura plotësisht vetëm pasi kanë rënë nga pema. Thanat me ngjyrë të kuqërremtë mund t’i mblidhini me dorë sapo të kenë rënë.

Vlerat shëndetësore të thanës

Thana është një frut i vogël që bën një punë të madhe. Vlerat e frutit dhe të pemës janë fantastike.

Lëvorja me ngjyrë kafe ose të kuqërremtë e pemës ofron shumë përfitime për konsumatorin.

Bashkë me frutin, ato kanë vlera në shërimin e lëkurës por edhe në uljen e temperaturës. Thanat e pjekura kanë gjithashtu vlera ushqimore të mëdha.

Përveç vlerave ushqimore, thanat janë përdorur në të gjithë botën edhe në mjekësinë popullore.

Konsumimi i thanave

Thanat përdoren për të përgatitur edhe reçel. Por ato mund të kombinohen me sheqer dhe portokall për të bërë një salcë të mrekullueshme si ajo e boronicës së kuqe.

Thanat mund të konsumohen edhe në formën e tyre të thatë. Në Shqipëri përdoren për përgatitjen e rakisë së famshme të thanës.

Por thana ka përdorim të gjërë edhe në përgatitjen e pijeve të ftohta gjatë stinës së verës. Shurupi i thanës është gjithashtu i famshëm në vendin tonë.

Përdorimi mjekësor i thanës

Fruti i thanës është përdorur për të ulur temperaturën dhe për të luftuar disa çrregullime të zorrëve.

Thartësia karakteristike e këtij fruti e bën atë mjaft të dobishëm në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.

Thanat janë përdorur edhe për t’u kuruar nga diarea.

Thanat mund t’i ruani në frigorifer për disa ditë, për sa kohë i paketoni në një qese të izoluar mirë. Ato jetojnë më gjatë në formën e tyre të thatë./AgroWeb.org