Ka shumë pretendime që rrezatimi që lëshon mikrovala është shumë i rrezikshëm. Foto: Flickr
Mikrovala është një pajisje që rrallëherë mungon në kuzhinat e amvisave shqiptare.
Ajo përdoret për të gatuar, shkrirë dhe ngrohur ushqime të shumëllojshme dhe kjo arrihet falë një rrezatimi elektromagnetik të ngjashëm në valët e radios apo të rrezeve infra të kuqe.
Ka shumë pretendime që rrezatimi që lëshon mikrovala është shumë i rrezikshëm dhe jo vetëm që shkatërron ushqyesit por mund të shkaktojë sëmundje të rënda.
Megjithatë, pavarësisht larmisë së artikujve mbi mikrovalën, deri më tani nuk ka kërkime shkencore që mbështesin idetë e mësiperme.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të gjeni përgjigjet mbi shqetësimet kryesore të sigurisë për mikrovalën.
A I Shkatërron Mikrovala Vitaminat Dhe Mineralet Tek Ushqimet?
Ngrohja apo shkrirja e ushqimeve në mikrovalë shkakton ndryshime në veçoritë fizike, përbërjen kimike dhe profilin ushqimor.
Nëse përdorni temperaturë të lartë, mikrovala ka tendencën të eliminojë ushqyesit në ushqime.
Sekreti në ruajtjen e tyre qëndron në kombinimin e saktë të kohës dhe temperaturës.
Këto të fundit janë gjithmonë në varësi të llojit të ushqimit.
Ushqime si mishi, peshku apo vezët duhen ngrohur në të paktën 60℃ që të jenë të sigurta për konsum.
Ekspertët thonë se ngrohja e shpejtë në mikrovalë mund të ruajë sasinë dhe cilësinë e polifenolëve tek perimet.
Ata kanë krahasuar gatimin e disa perimeve të caktuara në mikrovalë dhe në tenxhere me presion.
Në këtë të fundit, perimet kanë tendencën të humbasin më shumë fibër, gjë që nuk ndodh në rastin e mikrovalës.
Situata është e ngjashme edhe në rastin e vitaminës C, sasitë e humbura të së cilës janë më të mëdha kur ushqimet gatuhen në tenxhere me presion sesa në mikrovalë.
Një vrull i shpejtë nxehtësie që lëshon mikrovala arrin të ruajë shumicën e vitaminës C tek perimet.
A Shkakton Kancer Mikrovala?
Kur mishi apo peshku gatuhen në temperatura të larta për një kohë të gjatë, në sipërfaqen e tyre formohen substanca që shkaktojnë kancer.
Ekspertët kanë vënë re të njëjtat substanca tek mishi i pulës i gatuar në mikrovalë.
Megjithatë, ata deri më tani nuk kanë zbuluar asnjë lidhje të fortë mes kancerit dhe konsumit të rregullt të mishit të gatuar në mikrovalë.
A I Shkatërron Mikrovala Bakteret Ushqimore?
Gatimi i ushqimeve është një mënyrë shumë e mirë për të ulur rrezikun e sëmundjeve nga ushqimi.
Një nga sfidat më të mëdha në gatimin me mikrovalë është pabarazia në shpërndarjen e temperaturës për shkak të formës së ushqimit.
Në rast të tillë, ushqimi jo i ngrohur siç duhet përbën rrezik për shëndetin.
Gatimi në mikrovalë mund të shkatërrojë bakteret ushqimore vetëm falë kombinimit të duhur të kohës dhe temperaturës.
Gatimi në temperaturë minimale prej 60℃ shkatërron shumicën e baktereve por kur bëhet fjalë për toksinat, shkatërrimi i tyre me nxehtësi është i pamundur./AgroWeb./