Në dhjetor 2023, Boeing 737, me 300 pasagjerë, u detyrua të shpallte një emergjencë gjatë stuhisë Gerrit kur rezervat e karburantit ranë nën kufijtë ligjorë.

Aeroplani Tui, i cili u ngrit nga Cancun në Meksikë, do të ulej në aeroportin e Manchesterit, por pasi u përball me stuhi, u devijua në aeroportin East Midlands.

Më pas u detyrua të bënte një devijim të dytë drejt aeroportit të Birminghamit, ku u bashkua me një radhë prej shtatë aeroplanësh që prisnin të uleshin.

Një raport i publikuar në mes të shkurtit nga AAIB zbuloi se në kohën kur u ul, kishte vetëm 1.2 ton vajguri në rezervuar, nën minimumin ligjor prej 1.9 ton.

Brian Smith, një pilot komercial me dekada përvojë në fluturimin e aeroplanëve Boeing, thotë se ky skenar është një nga makthet më të këqija të çdo piloti.

“Përveç ndonjë rrëmbyesi vrasës apo terrorist, vetëm tre gjëra do të krijojnë adrenalinë në kabinë: një zjarr që nuk shuhet, moti i keq dhe mbarimi i karburantit”, tha Smith.

Sa karburant shtesë kanë aeroplanët në bord?

Linjat ajrore pajisin ekuipazhin me një “plan fluturimi” gjithëpërfshirës për udhëtimin.

Ai është shumë i detajuar dhe si minimum përfshin itinerarin, peshën e aeroplanit dhe ngarkesën, si dhe motin në destinacion dhe përgjatë rrugës, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“Në mënyrë thelbësore, tregon gjithashtu se sa karburant do të nevojitet për fluturimin. Megjithatë, është përgjegjësi e pilotit të sigurojë që karburanti të jetë i mjaftueshëm për të gjitha rastet e mundshme”, tha Smith.

“Një 747 Jumbo i ngarkuar plot mund të ketë deri në 170 ton karburant në bord. Shifrat janë përgjithësisht shumë të sakta. Piloti ka të drejtën për të shtuar karburant sipas nevojës, në varësi të kushteve të motit dhe ndoshta ndonjë problem në aeroport që mund të shkaktojë vonesa, si mbërritja e VIP-ve, për shembull”, shtoi ai.

Karburanti alternativ, i nevojshëm për të fluturuar dhe për të devijuar në aeroportin alternativ të zgjedhur, përfshin “rezervën përfundimtare”; një sasi e mjaftueshme për të fluturuar mbi një aeroport për 30 minuta.

Kjo sasi karburanti është kritike dhe kur sasia e karburantit po i afrohet fundit, gjërat tensionohen shumë.

Si komunikojnë pilotët në rast se janë në një emergjencë karburanti?

Ekuipazhi duhet të deklarojë “KARBURANT MAYDAY” për të marrë përparësi të menjëhershme për ulje.

Sa shpesh i mbaron karburanti një aeroplani?

“Aeroplanët kanë mbetur pa karburant, por fatmirësisht vetëm rrallë. Dy rastet më famëkeqe janë “Gimli Glider” – Air Canada 143, në korrik 1983 – dhe “Azores Glider” – Air Transat 236, i cili ndodhi në gusht 2001.

“I pari u shkaktua nga gabimi njerëzor gjatë furnizimit me karburant, i kombinuar me disa defekte teknike dhe procedura të dobëta të kompanisë. Piloti e uli 767 në një pistë të papërdorur”, tha Smith.

“Air Transat 236 mbeti pa karburant mbi Atlantik për shkak të një rrjedhje karburanti. Piloti zbarkoi në Lajes, në Azores. Në të dyja rastet, të gjithë në bord mbijetuan”, vazhdoi ai.

Si vendosin pilotët se ku të ulen kur karburanti mbaron?

Meqenëse motorët nuk mund të rindizen në këto raste, e vetmja mundësi është që menjëherë të kthehen drejt një piste të përshtatshme.

Brenda kabinës zhurma e motorëve do të ishte ndalur dhe do të bëhej një qetësi e frikshme.

“Motorët nuk prodhojnë më energji elektrike, kështu që dritat mund të fiken ose të zbehen. Instrumentet e fluturimit, në shumicën e rasteve, do të reduktohen vetëm në anën e kapitenit dhe do të jenë të disponueshme vetëm për një kohë të kufizuar, zakonisht 30 minuta”, tha Smith.