Sot po mbahet protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha.
Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.
Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Berisha është në përplasje të hapur me Lulzim Bashën që prej 9 shtatorit, kur ky i fundit largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të. Menjëherë pas kësaj Berisha nisi turin e tij të ‘Foltores’ me anëtarësinë në të gjithë vendin, tur i cili kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Sipas Komisionit të Rithemelimit, i ngritur për ristrukturimin e PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar me mbi 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së.
Ky i fundit e cilësoi procesin e shkarkimit të tij ilegjitim dhe të manipuluar, ndërsa theksoi se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike duke akuzuar Berishën se do të përdorë partinë për mbrojtje personale.