Ministri amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kenedy Jr., ka shkaktuar reagime të ashpra në Shtetet e Bashkuara, pasi ai shkarkoi 17 anëtarët e Komitetit Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP). Kjo është një strukturë kyçe pranë Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Kennedy, i njohur për qëndrimet e tij kundër vaksinimit, i akuzoi anëtarët e komitetit për “konflikt interesi” dhe deklaroi se largimi i tyre ishte i domosdoshëm për të “rikthyer besimin e publikut” në sistemin shëndetësor.

Mediat e huaja shkruajnë se ai pretendon se shumë prej tyre kanë lidhje financiare me kompani farmaceutike dhe nuk janë më të besueshëm për të udhëhequr politika të shëndetit publik.

“Publiku ka të drejtë të udhëhiqet nga shkenca e paanshme dhe e lirë nga ndikimet e jashtme”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së.

Lajmi u bë i ditur përmes një artikulli të “Wall Street Journal” dhe u pasua me një valë kritikash nga qarqet shkencore dhe politike. Ekspertët kanë paralajmëruar për ndërhyrje politike në vendimmarrjen shkencore, ndërsa lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e akuzoi Kennedy-n dhe administratën Trump për “shkatërrim të programeve që mbrojnë shëndetin e amerikanëve”.

Edhe senatorë republikanë kanë shprehur shqetësim. Mjeku dhe senatori Bill Cassidy paralajmëroi se komiteti mund të zëvendësohet me njerëz pa ekspertizë, duke shtuar se do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Kennedy për të shmangur një zhvillim të tillë.

Të gjithë anëtarët e shkarkuar të ACIP ishin emëruar gjatë presidencës së Joe Biden. Ministria ka njoftuar se aktualisht po shqyrtohen kandidatë të rinj për të formuar komitetin e ri.