Ish-presidenti Bujar Nishani, aktualisht në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së kërkoi sot nga Mati që opozita për të ngjallur besimin e qytetarëve si alternativë e besueshme të kërkojë vettingun e pasurisë së politikanëve duke e nisur nga vetja për ta shtrirë më pas te ish-presidentët, kryeministrat dhe ministrat e 10 viteve të fundit.
“Një muaj fushatë nuk folëm dhe denoncuam me dhjetëra raste korrupsioni dhe hajdutërie, nuk folëm. Cfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; vetting, hetim dhe konfiskim i cdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite.
Dhe jo vetëm këta që janë atje, por cfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, cfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit. Nuk e miraton Edi Rama? Referendum.
Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit” tha Nishani.
Në krah të Edith Harxhit, Nishani rrëfeu edhe disa nga prapaskenat e funksionimit të Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave për deputetë të PD-së duke akuzuar Lulzim Bashën për intriga.
“Isha përfshirë në atë komisionin e seleksionimit të kandidatëve për deputetë. E pranova me idenë që ca pakënaqësi që mund të dalin aty, jo për të marrë përgjegjësi por për t’ja hequr Lulzim Bashës ca përgjegjësi.
Thashë më mirë, t’u ngelë hatri me Bujarin sesa me Lulzim Bashën, pasi do të udhëhiqte fushatën” tha ai. Ndërkohë që Harxhi kishte një “thumb” për deputetin e zgjedhur të Mat Kreshnik Çollaku “Megjithëse e kam mik të vjetër, ndoshta duhet të kishte qenë sot këtu me ne, si Tomor Alizoti në Berat” tha ajo.
Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.