Futbollisti Cristiano Rondaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez kanë ndarë lajmin e trishtë se njëri nga binjakët e tyre ka ndërruar jetë.

Lajmin e bëri të ditur futbollisti portugez përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se humbja e djalit të tij është “dhimbja më e madhe” që një prind mund të ndjejë.

“Me pikëllimin tonë më të thellë duhet të njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë. Është dhimbja më e madhe që mund të ndjejnë prindërit. Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcën për ta jetuar këtë moment me pak shpresë dhe lumturi. Duam të falënderojmë mjekët dhe infermierët për kujdesin dhe mbështetjen e tyre. Ne jemi të shkatërruar nga kjo humbje dhe kërkojmë privatësi në këtë kohë të vështirë. Zemër, ti je engjëlli ynë. Ne do të të duam gjithmonë.”- shkroi futbollisti në postimin e bërë në “Instagram.”

Cristiano dhe Georgina zbuluan se ishin në pritje të binjakëve disa muaj më parë.

Futbollisti është baba i katër fëmijëve, binjakëve 4-vjeçare Eva Maria dhe Mateo, të cilët kanë lindur nga një nënë surrogate, djalit 10-vjeçar Cristiano Jr, nga një marrëdhënie e mëparshme, si edhe vajzës 3-vjeçare Alana Martina me Georgina Rodriguez.