Viti 2025 për çiklizmin është jubilar, pasi sporti i dyrrotakut në Shqipëri feston 100-vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtij sezoni historik, në një prononcim për “Panorama Sport”, Skënder Anxhaku, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ka folur për këtë sport të traditës në vendin tonë, si dhe për ceremoninë që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të themelimit të FSHÇ-së.

“Çiklizmi në Shqipëri, siç dihet, ka nisur të organizohet që prej vitit 1925 në Shkodër. Ndërsa në vitin 1941 është zhvilluar edhe gara e parë me pjesëmarrjen e femrave, aktivitet i mbajtur në Krujë. Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është evenimenti i tretë në botë për nga vjetërsia, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë. Federata ka bërë një punë të madhe, ne kemi marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama për të bërë një ekspozitë në Kryeministri dhe inaugurimi do të bëhet më datë 14 mars, në orën 12:00. Federata ka bërë vërtet një punë të madhe për këtë 100-vjetor. Do të ekspozohen biçikleta të vitit 1925 dhe të viteve pasardhëse. Do të pasqyrojmë të gjitha aktivitetet e mbajtura ndër vite, nga edicioni i parë e deri më sot”, shprehet Anxhaku.

XHIRO E ITALISË Kreu i FSHÇ-së është rikthyer të komentojë edhe nisjen e Xhiros së Italisë, e cila për herë të parë do të bëhet nga Shqipëria, me tri etapat e para që do të mbahen në vendin tonë, më datat 9, 10 dhe 11 maj. “Patjetër që bëhet fjalë për një ngjarje shumë të madhe dhe një falënderim i madh shkon për Kryeministrin e Shqipërisë, pasi me sjelljen e Xhiros së Italisë këtu, i jep një prioritet të madh edhe vendit, sidomos për fushën e turizmit. Bregdeti shqiptar ka një panoramë shumë të bukur dhe kjo do të jetë një reklamë e shkëlqyer që do t’i bëhet vendit. Në Xhiron e Italisë do të marrë pjesë edhe Shqipëria, por si të regjistruar, pasi nuk i kemi kushtet për të konkurruar në këtë kompeticion. Do të jetë një hapje simbolike nga ekipi ynë kombëtar në Durrës”, deklaron Anxhaku.

PARTNERËT Kryetari i dyrrotakut më tej u shpreh mirënjohjen mbështetësve të federatës dhe të sportit në Shqipëri: “Në bashkëpunim me Komitetin Olimpik, si dhe me mbështetjen nga Ministra e Arsimit dhe e Sportit, sidomos në veçanti me përkrahjen e zv.ministrit Endrit Hoxha, Federata e Çiklizmit dhe të gjitha federatat kanë pasur një prioritet shumë të madh. Nuk dua të flas vetëm për çiklizmin, por këtu dua të theksoj edhe dy medaljet historike, që mori mundja në Lojërat Olimpike. Gjithashtu, përveç çiklizmit, prioritet vendit i ka dhënë edhe peshëngritja, skitë etj.”

RRETHI ÇIKLISTIK Këtë vit do të mbahet Rrethi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë, aktivitet që përkon me 100-vjetorin e FSHÇ-së, i cili do të hapet më datë 26 maj. Për këtë aktivitet, Anxhaku zbulon disa detaje të rëndësishme: “Aktiviteti më i rëndësishëm dhe më e i madh i organizuar nga federata, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, do të nisë më 26 maj. Do të jetë një eveniment madhor me pjesëmarrjen e 20 ekipeve të huaja, ndërsa për herë të parë do të jenë edhe dy ekipe nga Arabia Saudite. Rrethi Çiklistik i Shqipërisë i vitit 2025 do të jetë aktiviteti më i madh që është bërë ndonjëherë, pasi vjen në kuadër të 100-vjetorit. Një garë jubilare me pjesëmarrjen e shumë ekipeve të forta, të cilat do t’i japin tonin këtij aktiviteti. Xhiro e Shqipërisë do të nisë nga Tirana në drejtim të Shkodrës, që është edhe qyteti i sportit për këtë vit, por gjithashtu mbetet edhe djepi i çiklizmit shqiptar”, shprehet Anxhaku.

Në fund, presidenti i FSHÇsë përmend arritjet e federatës shqiptare, duke theksuar përfshirjen në organet ndërkombëtarë të çiklizmit: “Federata ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke nisur me Kongresin Ballkanik që u mbajt në Shqipëri, ku sekretari ynë i përgjithshëm, Alfred Tahiraj, u zgjodh zv.president i Unionit Ballkanik. Gjithashtu, një fitore tjetër e FSHÇ-së është edhe zgjedhje e Tahirajt si delegat i Europës për të votuar për Unionin Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI). Një ngjarje e madhe, ku në 15 anëtarë të Europës një votë e ka Shqipëria”, përfundon Anxhaku.