Cikloni Gabriel në Zelandën e Re shkaktoi vdekjen e 8 personave, ku viktima e tetë ishte një fëmijë 2-vjeçar dhe 10,000 persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, fati i mijërave mbetet mister ndërsa kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins ka paralajmëruar se numri i të vdekurve pritet të rritet. Cikloni goditi Zelandën e Re të dielën, duke përmbytur qytetet, fermat dhe shtëpitë.
Pak më shumë se 4,500 njerëz raportuan në polici se nuk kishin kontaktuar ende me të afërmit apo miqtë që kur cikloni goditi vendin. Policia beson se shumica e tyre thjesht nuk kanë akses në rrjetet e komunikimit.
Është padyshim fatkeqësia më e madhe natyrore që ndoshta kemi parë këtë shekull, tha Hipkins. Shkalla e dëmit është e konsiderueshme sepse përfshin një zonë kaq të madhe gjeografike.
Dy morgje të përkohshme janë ngritur në rajonin Hawke’s Bay, i cili është ndër më të goditurit nga cikloni. Është një zonë kryesisht rurale, por përfshin qytetet Napier, Hastings dhe Ëairoa.
Komunikimi dhe aksesi në disa zona mbetet i vështirë dhe rreth 62,000 shtëpi janë ende pa energji elektrike. Një ekip ekspertësh nga Australia ka mbërritur në Zelandën e Re për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës, sipas Hipkins.