Karrotat janë shumë të kërkuara për shkak të vlerave të tyre ushqyese. Foto: Flickr
Kur hamë portokall shumica prej nesh e heqim lëkurën dhe e hedhim direkt në kosh.
Kjo, për fat të keq është një gjë e gabuar, sepse në këtë rast në kosh po hedhim një sërë ushqyesish të dobishëm e të rëndësishëm.
Lëkura e një portokalli ka dy herë më shumë vitaminë C se tuli i frutit.
Ndonëse ngrënia e lëkurës së frutave dhe perimeve mund të duket e vështirë, ndonjëherë duhet të jemi krijues që ta përfshijmë atë në gatimet tona.
E njëjta gjë vlen për shumë fruta dhe perime, lëkura e të cilave është pjesa më e pasur me ushqyes.
Mund të marrim shembullin e bananeve, shalqinit, patëllxhanit e të tjerë.
Frutat dhe perimet, lëkura e të cilave duhet ngrënë patjetër
Molla
Lëkura e mollës përmban gjysmën e fibrës që gjendet tek fruti i plotë.
Një mollë mesatare përmban 9 miligramë të vitaminës C, 100 njësi të vitaminës A dhe 200 gramë kalium.
Duke hequr lëkurën, ju humbisni një të tretën e këtyre ushqyesve.
Lëkura e mollës ka 4 herë më shumë vitaminë K se pjesa e brendshme.
Kjo vitaminë është e dobishme në aktivimin e proteinave për rritjen e qelizave dhe mirëmbajtjen e kockave.
Lëkura e mollës përmban kuercetinë që i vjen në ndihmë mushkërisë, lehtëson frymëmarrjen dhe mbron trurin.
Ajo përmban edhe një substancë që njihet me emrin triterpenoid që ka aftësinë të pengojë ose shkatërrojë disa qeliza kancerogjene në trup.
Patatja
Lëkura e patates përmban hekur, kalçium, kalium, magnez, vitaminat B6 dhe C.
100 gramë lëkurë patateje përmban 7 herë më shumë kalçium dhe 17 herë më shumë hekur se e njëjta sasi e këtij zhardhoku.
Duke hequr lëkurën humbisni 90 përqind të sasisë së hekurit dhe gjysmën e sasisë së fibrës.
Agrumet
Lëkura e një portokalli përmban dyfishin e vitaminës C në krahasim me tulin.
Lëkura përmban riboflavinë, vitaminë B6, kalçium, magnez dhe kalium.
AgroWeb.org ju rekomandon që ta grini lëkurën e agrumes tuaj të preferuar dhe ta përdorni në sallata duke e kombinuar me uthull dhe vaj ulliri.
Lëkura e grirë e agrumeve kombinohet mjaft mirë me ëmbëlsirat, akulloret dhe çokollatën.
Kastraveci
Lëkura e tij përmban sasinë më të madhe të antioksidantëve, fibrës, kaliumit dhe vitaminës K.
Kivi
Lëkura me push e kivit përfundon në kosh të plehrave, ndonëse është e pasur me flavonoidë, antiokisdantë dhe vitaminë C, në sasi më të larta se vetë tuli.
Lëkura e kivit përmban dyfishin e fibrës në krahasim me tulin.
AgroWeb.org ju këshillon ta lani kivin mirë dhe ta hani si pjeshkën.
Nëse pushi nuk ju pëlqen, fërkojeni mirë gjatë larjes.
Patëllxhani
Lëkura e purpurt e patëllxhanit vjen si pasojë e një antioksidanti të fuqishëm të njohur si nasuninë.
Ky antioksidant frenon krijimin e qelizave të dëmshme, veçanërisht në tru dhe në sistemin nervor.
Lëkura e patëllxhanit është gjithashtu e pasur me acid klorogjenik që lufton inflamacionin dhe i jep antioksidantëve më shumë forcë.
Karrota
Lëkura dhe pjesa e brendshme e karrotës kanë përbërës të njëjtë.
Megjithatë, pjesa më e madhe e fitoushqyesve gjendet direkt nën lëkurë.
AgroWeb.org ju rekomandon ta lani mirë karrotën dhe mos ta qëroni atë.
Shalqini
Lëkura e shalqinit përmban citrulinë, një antioksidant për të cilën zemra, sistemi imunitar dhe qarkullimi i gjakut kanë shumë nevojë.
Lëkurën e shalqinit mund ta bëni turshi, gliko ose ta kavërdisni. Një tjetër mënyrë interesante është ta fusni në mikser me gjithë pjesën e tulit dhe ta miksoni me limon jeshil.
Qepa
Lëkura e qepës përmban kuercetinë.
Ajo nuk është e ngrënshme, por ju mund ta zieni qepën të plotë dhe të konsumoni lëngun e saj.
Banania
Lëkura e bananes është e pasur me kalium, luteinë dhe amino acide që janë të dobishme kundër depresionit dhe sëmundjeve të syve.
Lëkura e një bananeje të tejpjekur mund të shtrydhet, mund të zihet ose të kavërdiset.
AgroWeb.org ju rekomandon të piqni lëkurën në furrë dhe ta bëni çaj./AgroWeb.org