Përgjatë katër muajve të parë të vitit, Shqipëria ka numëruar rreth 2.3 milionë hyrje nga shtetas të huaj, një shifër e lartë kjo që paralajmëron mundësinë që këtë vit vendi të shënojë rekorde të reja sa i përket turizmit. Pritshmëritë janë që këtë vit numri i turistëve të arrijë në 14 milionë dhe sipas një analize që ka kryer më herët “Scan Intel” kjo shifër është e mundur, madje mund edhe të tejkalohet.
Por ndërsa numërohen këto shifra në muajt e parë të vitit, bizneset duket se po nxitojnë të përgatiten për sezonin e ri veror. Ndryshe nga vitet e mëparshme, të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë një rritje të fortë të blerjeve të artikujve që nevojiten për sezonin veror. Zakonisht, piku ka qenë në muajin maj, por këtë vit tendenca rritëse e importeve është konstatuar më herët.
“Scan Intel’’ ka analizuar të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin prill duke u ndaluar në disa prej artikujve kryesore që importohen për sezonin veror si çadra dielli dhe prodhime kashte.
Rezulton se në muajin Prill të këtij viti, jo vetëm që ka një rritje të importeve të artikujve të sezonit turistik në vlerë, por është regjistruar rekord krahasuar me të njejtin muaj të viteve të mëparshme. Konkretisht, në terma vjetorë gjatë këtij prilli sasia e importuar e prodhimeve të kashtës u rrit me 268% si dhe vlera e tyre arriti në 12.3 milionë lekë nga 3.3 milionë lekë që ishte vitin e kaluar. Po ashtu paraqiten me rritje edhe importet e çadrave të diellit ku në muajin prill të këtij viti importuam 175% më shumë çadra dielli, vlera e të cilave arriti në 75.6 milionë lekë, ose gati 3 herë më shumë se vitin e kaluar. Edhe për importin e çadrave të diellit regjistrohet një rekord këtë prill, krahasuar me të njejtën periudhë të viteve të kaluara.
Por rekordi nuk reflektohet vetëm nëse shifrën e muajit Prill e krahasojmë me Prillin e viteve të kaluara. Nëse analizojmë importet e këtyre produkteve që nga muaji Janar i vitit 2005, shohim se shifra e importit të çadrave të diellit në Prill të vitit 2024 është rekordi i dytë më i lartë pas muajit Maj të vitit 2023.