Pas rreth 3 orëve e gjysmë mbledhje, Këshilli Bashkiak ka rrëzuar propozimin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës- Kanalizime Shkodër për rritjen e tarifës së ujit të pijshëm për konsumatorët si dhe për tarifat për largimin dhe përpunimin e ujërave të ndotura.
Ka qenë një vendim në unison i të gjithë këshilltarëve të PS-së, PD- së, BF- së dhe PSD- së. Këshilltarët kanë renditur arsyet si parësore mangësitë në cilësinë e ofrimit të shërbimeve nga kjo ndërmarrje rajonale si dhe nivelin e lartë të humbjeve administrative, që sipas saj nuk justifikojnë kërkesën për rritje të tarifave.
Kjo shoqëri është tashmë Shoqëri Aksionare me pjesëmarrjen e Ministrisë së Infrastrukturws në masën 51% dhe të 5 bashkive të qarkut të Shkodrës, të gjitha bashkë me 49% të aksioneve.
Në relacionin e depozituar pranë Këshillit Bashkiak nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër, është kërkuar rritja e ujit për abonentët familjarë nga 40 në 70 lek në m3 për ujë .
Kjo çështje ngjalli mjaft sensibilitet tek qytetarët, i shprehur edhe nga dëgjesat publike të organizuara në të 5 bashkitë e qarkut Shkodër, sensibilitet që u përkthye me mosmiratimin e propozimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës- Kanalizime Shkodër.