Bashkimi Evropian ka fuqizuar rregullat e tij për udhëtarët nga vendet që nuk janë anëtare të bllokut.

Rregullat e reja lejojnë hyrjen vetëm të banorëve nga vendet që kanë pak raste të të infektuarve me koronavirus dhe të atyre që nuk kanë pothuajse asnjë rast me variantet e reja më ngjitëse të koronavirusit.

Ambasadorët e BE ranë dakord për masën e re për udhëtimet nga vendet jo-BE, duke përfshirë Britaninë, në një takim në Bruksel, i tha një diplomat i BE-së, agjencisë Reuters.

Në rekomendimin për udhëtimet, BE inkurajon vendet anëtare të vendosin kritere të rrepta të udhëtimeve.

Sipas këtyre rekomandimeve, një vizitor mund të hyjë në BE, nëse vjen nga një vend që ka jo më shumë se 25 raste të të infektuarve për 100.000 banorë gjatë 14 ditëve.

Kufizimet në udhëtim duhet të vendosen në mënyrë urgjente për vendet në të cilat zbulohet se ka një përhapje të varianteve të reja të koronavirusit, thuhet në tekst.

Megjithë rekomandimin, vendet anëtare të BE-së e kanë fjalën e fundit për politikat e tyre kufitare.

Disa vende të BE-së, të tilla si Gjermania, kanë vendosur kufizime më të ashpra, ndërsa Belgjika ka ndaluar udhëtimet jo-thelbësore brenda ose jashtë vendit deri në muajin mars. /REL