Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se autoritetet shëndetësore shqiptare kanë një plan masash të reja për të luftuar koronavirusin në terma afatgjatë.
Nga foltorja e Kuvendit, ajo paralajmëroi masa të reja në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit.
Ndërkohë me nisjen e sezonit turistik si dhe uljen e rasteve të reja me COVID, Manastirliu tha se pritet të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve në shtëpitë e tyre për të gjithë ata që e kanë të pamundur të shkojnë drejt qendrave shëndetësore.
“Ne jemi të organizuar për të vajtur derë më derë ku ka ende xhepa të pambuluar përsa i përket vaksnimit. Me programin tonë me njësitë e lëvizshme për të shmangur shpërthime epidemike. Situata ka incidencë 2 raste për 100 mijë banorë. Është për të disatën javë në dy vendet me rastet më të ulëta në Europë. Është frymëmarrje për të gjithë qytetarët dhe turizmin. Si çdo sëmundje, të parandalosh është më mirë se sat ë kurosh. Angazhimi i mjekëve është vaksinimi dhe po përgatitemi për çdo sfidë. Jemi duke finalizuar një plan të qartë përgjigje ndaj impaktit të gjatë të COVID. Ky plan që do prezantohet së afërmi, përmban një strategji që përkon me masat që do marrim gjatë periudhës vjeshtë dimër por dhe në terma më të gjatë. Ju ftoj që të miratojmë këtë akt” – tha Manastirliu.
Ashtu siç njoftoi dhe më herët Instituti i Shëndetit Publik, Manastirliu e mohoi prezencën e rasteve me variantin Delta në Shqipëri teksa tha se duhet të ruhemi dhe nga variantet e tjera siç është ajo e Lambda në shtetet e tjera.
Ajo i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë situatën e mirë që po kalon vendi me rastet e reja COVID, dhe të vaksinohen në mënyrë që të parandalojnë një valë tjetër infeksioni.
“Me aktin që presim të miratojmë do bëjmë të mundur të shtohen dhe 23 mijë doza të Pfizer si pjesë e COVAX. Përpjekjet tona për t’ia dalë që çdo qytetar të vaksinohet, nuk do ndalen. Duam që kjo periudhë pozitive ta përdorim për vaksinimin masiv. Ftoj çdo qytetar që i jepet mundësia të vaksinohet menjëherë që të shpëtojë veten dhe të afërmit e tij. Prej 16 javësh është fakt se rastet që kemi të shtruara tek Infektivi, janë qytetarë që nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për tu vaksinuar. Evidencat tregojnë që vaksinimi ka një ndikim 100% në uljen e fataliteteve. Kërcënimi nga variantet Delta është serioz. Ashtu sikurse evidencat tregojnë, ka një përhapje të egër dhe qarkullon në vendet Europiane. Strukturat tona të ISHP-së dhe ato vendore janë në alert dhe duke monitoruar të gjitha rastet e dyshuara. Nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri. Ne jemi duke monitoruar çdo rast me shumë kujdes. Qarkullimi i varianteve të reja, një variant i ri që thuhet se po qarkullon, Lambda, janë arsye të forta për tu vaksinuar sa më parë” – tha ministrja.
panorama