Varianti Delta shton numrin e të infektuarve

Numri i rasteve të reja Covid është rritur ndjeshëm sërish në vendin tonë, teksa janë shënuar 132 raste të reja në 24 orëshin e fundit.Varianti i ri Covid-19 , Delta,  në vendin tonë raportohet se ka qarkulluar të paktën që nga data 1 qershor.

Kjo është bërë e ditur nga përgjigja e mostrave të marra nga ISHP, pasi siç u deklarua nga autoritete, i përkasin pikërisht periudhës nga 1 Qershori deri në 12 Korrik në 10 qarqe.

Nisur nga konfirmimi i rasteve të para me variantin “Delta” në vendin tonë, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka bërë apel për vaksinim, teksa ka bërë me dije detaje për kampionet e konfirmuara në laboratorin e referencës.

 Edhe pse shumica e qytetarëve elbasanas shprehen se janë vaksinuar  vihet re një rritje e numrit te të prekurve me Covid-19 në qarkun e Elbasanit ku aktualisht numri i  të infektuarve ka shkuar në 61.

Sipas statistikave Elbasani renditet si qarku i 3-të për numrin më të lartë të të vaksinuarve. Ndërkohë gjatë gjithë muajit Gusht do të vijojë proçesi i vaksinimit për të gjithë grupmoshat.