Pak minuta pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ku u fol për një rënie të shifrave të infektimeve me Covid-19 dhe u vendos mosndryshimi i orës policore, nënkryetari i LSI Petrit Vasili, përmes një deklarate për mediat, u shpreh se, Shqipëria shënon në shtatë ditët e fundit mesataren javore më të lartë të vdekjeve, 16.5 vdekje në ditë.
“Ndërkohë që qeveria raporton se situata është nën kontroll, një shprehje e çmendur që po dëmton shqiptarët në mënyrë katastrofike, Shqipëria shënon në shtatë ditët e fundit mesataren javore më të lartë të vdekjeve, 16.5 vdekje në ditë, sipas vdekjeve të deklaruara nga qeveria, kur dihet më së miri që edhe këtu ka një problem shumë të madh serioz midis raportimit të tyre. Vetëm dje ka pasur 19 vdekje dhe mbi 1 mijë të infektuar të rinj, të deklaruar. Të infektuarit e vërtetë janë shumë më tepër”, u shpreh nënkryetari i LSI.
Sipas Vasilit, shqiptarët nuk presin pallavra të orës 6, 8 apo 9 por presin ndihmë ekonomike të drejtpërdrejtë për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore
“Shqiptarët nuk presin të dëgjojnë pallavra të orës 6, të orës 8, të orës 9, të orës 11, të orës 12 e të tjera, sepse i kanë dëgjuar dhe i kanë provuar. Shqiptarët presin ndihmë ekonomike të drejtpërdrejtë për rimbursimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore, të mijëra qytetarëve që trajtohen në banesat e tyre dhe janë të infektuar me Covid-19. Janë më mijëra shqiptarë, të cilët harxhojnë qindra – mijëra deri në miliona lekë për trajtimin bazal për Covid-in, e për fat të keq, ka edhe qindra të tjerë që nuk e marrin dot as këtë mjekim bazik, sepse mundësitë e tyre ekonomike janë krejtësisht të pamundura, janë absolute, janë në një varfëri që nuk i krijon mundësinë as edhe të kurohen. Pra, të kenë mundësinë të jetojnë. Këta njerëz të varfër janë destinuar të presin dhe të jenë nën mëshirën e sëmundjes, pa i bërë dot asgjë asaj, pasi nuk kanë të zgjidhur mbijetesën, ushqimin e përditshëm, e jo më barnat”, u shpreh ndër të tjera Petrit Vasili.
Ora News