Vendi jonë më në fund duket se po shkon drejt “çlirimit” nga COVID. Sot asnjë qytetar nuk e ka humbur betejën me virusin. Ministria e Shëndetësisë në bilancin e 24 orëve të fundit bën me dije se nga 650 testime kanë rezultuar 15 qytetarë të infektuar. Ndërkaq janë shëruar 84 qytetarë gjatë 24 orëve, duke e çuar numrin e të shëruarve në 270,742 që nga fillimi i epidemisë.
15 qytetarët e infektuar janë në këto bashki: 9 në Tiranë, nga 2 qytetarë në Fier, Berat, nga 1 qytetar në Divjakë, Sarandë. Në të gjithë vendin janë 297 pacientë aktivë me COVID-19. Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 8 pacientë.
Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. “Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Çdo qytetar mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar me dy doza, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqëndruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese. Nëse dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.