Kthimi i Cristiano Ronaldos te Manchester United solli me vete disa kushte, jo vetëm ekonomike apo sportive, siç pritet nga një lojtar i klasit botëror si portugezi. Kërkesat e lidhura me dietën u shtuan gjithashtu, megjithëse kjo pikë nuk ka shkuar mirë me disa nga bashkëlojtarët e tij.
Sipas “The Sun”, portugezi i ka imponuar menunë kuzhinierit të Manchester United, por disa nga pjatat e tij nuk i kanë pëlqyer pjesës tjetër të ekipit. Në fakt, media britanike shton më shumë detaje dhe zbulon disa nga këto pjata.
Njëra prej tyre është “bacalhu”, një pjatë portugeze me vezë dhe merluc, gjithashtu edhe me oktapod. “Atij do t’i pëlqejë dhe do të funksionojë shumë mirë në dietën që mban, por të tjerëve nuk iu shijon fare. Cristiano është shumë i fokusuar në gjërat e tij dhe kuzhinierët përpiqen ta ndihmojnë”, – tha një burim i klubit për “The Sun”.
Disa ditë më parë, kur Cristiano ri-debutoi me Manchester United, portieri i tretë i skuadrës, Lee Grant, zbuloi disa nga ndryshimet ushqyese që portugezi synon të futë te shokët e skuadrës, siç është largimi i ëmbëlsirës të premten mbrëma.
“Ne po hidhnim një vështrim në atë që ai kishte përpara dhe padyshim që është pjata më e pastër dhe më e shëndetshme që mund të imagjinoni”, – saktësoi Grant.