Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi së bashku me ministrin Federal të Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer mëngjesin e sotëm ishin në një deklaratë për medien.

Çuçi u shpreh se diskutuan për projektet e së ardhmes që kanë të bëjnë me sigurimin e kufijve të Shqipërisë, Austrisë dhe të BE për të mbrojtur nga emigracioni i jashtëligjshëm.

Lidhur me vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha ditën e djeshme (28 shtator) në Lezhë nga 21-vjeçari Aldi Rama, Çuçi u shpreh se do të përcillet si dëshmor atdheu teksa theksoi se SHÇBA po bën punën e saj.

Çuçi“Policia e ka bërë të qartë edhe operacionin në të cilin forcat e policisë ishin dje në atë ngjarje fatkeqësisht tragjike për një nga oficerët tanë. Në Drejtorinë e policisë do të merrni të gjithë informacionin në lidhje me të gjitha procedurat e ndjekura.  

SHÇBA bën punën e saj para ligjit, dhe ju lutem mos merremi me këtë çështje, sot do të përcjellim Dëshmorin e Atdheut.”

Ai theksoi se ky vit do të jetë ndër më të suksesshmit në luftën kundër kanabisit në Shqipëri pasi deri më tani ka arritur majat.

Çuçi: “E keni gabim, statistika ka, botohen çdo muaj. Kemi statistikat që publikohen periodikisht bashkë me partnerët tanë. Lufta kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit ka shënuar majën, e tregojnë shumë faktorë këtë.

Së pari është numri i hektarëve dhe parcelave të asgjësuara, e dyta presioni që është ngritur dhe nga trafikantët në lidhje me mungesën në treg të këtij produkti narkotik, janë dhe të dhëna të tërthorta, nuk ka  asnjë gomone të kapur që nga fillimi i vitit në Itali, sivjet, të kapur me kanabis, nga forcat italiane, vetëm ne e kemi kapur një në brigjet tona. Ky fenomen është zvogëluar, dhe besoj do të jetë një ndër vitet më të suksesshëm të luftës ndaj trafikut e luftës kundër kanabisit.”

Edhe ministri austriak i shprehu ngushëllimet familjes së oficerit Hoxha./OraNews/