Ditën e sotme ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është takuar me ministrin grek për Mbrojtjen e Qytetarit, Panagiotis Theodorikakos, i cili mbulon edhe çështje që lidhen me sigurinë dhe policinë.
Çuçi shprehet se në këtë takim ka diskutuar me ministrin grek për bashkëpunimin e policive të dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ministri thotë se autoritetet shqiptare dhe atu greke kanë kaluar nga faza e shkëmbimit të informacionit në atë të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, gjë e cila sipas tij, dëshmon për nivelin e lartë të besimit mes policisë së të dy vendeve.
Një pikë tjetër e diskutimit mes dy ministrave ishte edhe qendra e përbashkët e bashkëpunimit policor dhe doganor që do të hapet së shpejti në Kakavijë.
“Diskutuam sot në Athinë për bashkëpunimin policor mes dy vendeve tona, për luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kemi kaluar nga faza e shkëmbimit të informacionit në atë të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, çka dëshmon për nivelin e lartë të besimit mes policisë së të dy vendeve. Por sidoqoftë ka ende hapësirë për të intensifikuar bashkëpunimin e ngushtë dyaplësh. Kjo qendër është një instrument tjetër që do t’i shërbejë të dy vendeve tona dhe sigurisë së rajonit në tërësi”,-thotë ministri Çuçi.