Daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, mesa duket nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga “ëndrra për t’u bërë deputet”.

Ai i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër ku dhe ka kërkuar që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakordësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.

Pro, mesa duket një prej 12 kandidatëve fiktivë në qarkun e Tiranës të “Nismës Shqipëria Bëhet” ka “ndërruar mendje” dhe kërkon që të jetë deputet në legjislacionin e ri parlamentar.

Ky është pikërisht daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili pretendon se gjatë kandidimin nuk ishte i qartë nëse kishte firmosur edhe mospranimin e mandatit të deputetit, duke rrezikuar kështu “karrigen” e Adriatik Lapajt në Kuvendin e ri 2025-2029.

Ai i ka kërkuar Celibashit se është i bindur që nuk do të djegë mandatin e tij dhe të injorojë çdo deklaratë apo pretendim të Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet që janë bërë në emër të tij.

“Une, I nenshkruari Zeqir Kordhoni kam kandiduar per Koalicionin “Nisma Shqiperia Behet” ne qarkun e Tiranes ne zgjedhjet parlamentare te dates 11 Maj 2025.

Permes kesaj deklarate te nenshkruar perpara noterit sot, me date 15/07/2025, dua te ve ne dijeni Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, vullnetin tim te plote per te ushtruar funksionin e deputetit ne rast se shpallem fitues, pas shperndarjes se mandateve ne perputhje me rregullat e percaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikes se Shqiperise.

Ne kete kuader, kerkoj qe KQZ te injoroje cdo deklarate tjeter te depozituar me pare nga Koalicioni “Nisma Shqiperia Behet” ose ne emrin tim dhe te marre ne konsiderate vetem kete deklarate si shprehje te qarte dhe te vlefshme te vullnetit tim”, thuhet në shkresën që Kordhoni i ka dërguar Celibashit.

Jo më larg se disa ditë më parë vetë Shabani i dërgoi një shkresë Celibashit ku dhe i kërkoi që të njohë 46 dorëheqjet e kandidatëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Ai ka kërkuar që mandati i deputeti i fituar në qarkun e Tiranës t’i kalojë të parit në listën e hapur, pra Adriatik Lapajt, duke shuar zërat se letra e shkruar nga daja i tij, të jetë iniciuar prej tij.

“Adriatiku ka thënë se nëse do të marrë një mandat koalicioni, atëherë mandatin do ta marrë jo ai, por më i votuari pas tij. Kjo ka krijuar tension mes aktivistëve. Kuptoj dhe nga “Shqipëria Bëhet” ka krijuar tension.

Te Nisma Thurje është krijuar një tension sepse është dukur që ne po e mbajmë fjalën për dorëheqjet, por ky po tërhiqet nga deklarata e vetë. Kjo ka krijuar këtë tension me Zeqirin. Zeqiri nuk ka pretendime, e para është në fund të listës.

Mandatin sot e ka Ana Dajko e listës së mbyllur nga “Shqipëria Bëhet”. Kandidatët kanë konfirmuar dorëheqjen. Unë dje i kam kërkuar KQZ që të njohë dorëheqjet dhe të mos e vonojë procesin. KQZ të kalojë te lista e hapur dhe t’ia japë mandatin Adriatik Lapajt. Ky është qëndrimi ynë.

Unë fola në telefon me Zeqirin dhe më tha: Unë jam burrë dhe jo politikan. La të kuptoj që ju politikanët thoni dhe i ndryshoni gjërat, burrat kur e japin fjalën, e mbajnë,” tha Endri Shabani më herët.