Personat që shihni në foto janë tre vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja, Aleksandër Bushgjokaj, Kristi alias Kristë Bushgjokaj dhe Fation Bushgjokaj, ky i fundit i arrestuar, të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë mëngjesin e 9 Korrikut buzë liqenit të Shkopetit.
Tre vëllezërit nga Tropoja janë të dyshuarit kryesorë për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Dobrës, ndërsa së bashku me ta si i përfshirë në krim është dhe miku i tyre, Petrit Çakrri alias Hoxha, gjithashtu i arrestuar për ngjarjen në fjalë. Petrit Çakrri është një person i njohur për policisë, pasi ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Viktima Renis Dobra, vendi ku u gjet i vdekur
Shkak për vrasjen e Renis Dobrës dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës referuar pak viteve më parë, kur Dobra punonte në Gjermani për llogari të grupit kriminal të vëllezërve Bushgjokaj, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike.
Referuar dosjes hetimore, Renis Dobra në disa raste nuk i ka dorëzuar vëllezërve nga Tropoja shumat e parave të fituara nga shitja e kokainës duke pretenduar se disa herë droga është hedhur në rrugë, ujë apo liqen për arsye se po e ndiqte policia.policia.

Vëllezërit Bushgjokaj kanë menduar se Dobra po i mashtronte dhe po i vidhte të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, arsye kjo që i ka bindur ata për ta vrarë.
Roli i Petrit Çakrrit alias Hoxha në këtë krim, është sigurimi i automjeteve për kryerjen e krimit. Bëhet fjalë për një Range Rover të zi dhe një Hyundai të bardhë. Grupi hetimor ka zbuluar lëvizjet e automjeteve të marra me qira përmes GPS dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë. Pasi janë përdorur për krimin, mjetet janë dorëzuar dhe janë marrë automjete të tjera me qira, për të humbur gjurmët.

Sipas të dhënave nga hetimet, automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, ka ndjekur të njëjtën trajektore me viktimën, Renis Dobra. Personat e dyshuar i kanë prerë rrugën Renis Dobrës, fillimisht duke iu prezantuar si oficerë policie, e më pas e kanë rrëmbyer dhe torturuar. Nga këqyrja e trupit të viktimës, Renis Dobra ka shenja në qafë çka dyshohet se është mbytur me litar për t’u hedhur më pas me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit.