Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka reaguar lidhur me problemet e raportuar dhe ndërhyrjet në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.

Në reagimin zyrtar IDM shpreh shqetësimin lidhur me ndërhyrjen e raportuar së fundmi

“Theksojmë se kjo nuk është e para thyerje e sigurisë së të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve në Shqipëri, ku edhe më herët IDM i është bashkuar shqetësimit të organizatave ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

REAGIMI:

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ndërhyrjen e raportuar së fundi në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.
Theksojmë se kjo nuk është e para thyerje e sigurisë së të dhënave personale dhe sensitive të shtetasve në Shqipëri, ku edhe më herët IDM i është bashkuar shqetësimit të organizatave ndërkombëtare.

Ne inkurajojmë zhvillimin e hetimeve të plota dhe të gjithanshme nga institucionet përkatëse. Njëkohësisht, IDM i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve të sigurisë dhe inkurajojmë veprime konkrete për shqyrtimin e plotë të përgjegjësive institucionale lidhur me shkeljet e përsëritura dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.

Mirëqeverisja e sistemit dhe institucioneve të sigurisë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimeve të qeverisjes së mirë në sektorin e sigurisë, mbikqyrjes parlamentare, sistemit të balancave dhe kontrollit (checks and balance) dhe mundësimit të një roli më proaktiv të aktorëve të shoqërisë civile, rretheve akademike, medias etj. përbën domosdoshmëri për forcimin e performancës së tyre, rritjen e besimit publik tek institucionet dhe përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

(BalkanWeb)