Deputeti demokrat Dashnor Sula, publikon disa të dhëna për numrin e makinave që janë në qarkullim në Shqipëri dhe importin e karburanteve ndër vite. Referuar këtyre shifrave, numri i makinave në vend nga 2011 deri në 2021 është dyfishuar, kurse importi i karburanteve është ulur.

Në vitin 2011 rezultojnë 410.629 makina të regjistruara në Shqipëri, ndërkohë sasia e karburantit të importuar ka qenë 570 milionë e 441 mijë e 945 litra. Ndërkohë, në vitin 2021, rezultojnë 740.669 makina të regjistruara dhe karburanti i importuar është 536 milionë e 25 mijë e 971 litra.

Pra, pavarësisht se numri i makinave të ardhura në vendin tonë është rritur, sasia e naftës së importuar është ulur me të paktën 35 milionë tonë, shkruan newsbomb.al. Deputeti demokrat ngre dyshime për një super skandal me shmangien e detyrimeve tatimore nga kompanitë.

“Kur në 2021 që kemi thuajse dyfishin e numrit të automjeteve që kishim në vitin 2011, si ka mundësi që importojmë më pak naftë sesa në vitin 2011. Nga e gjejmë ne naftën për të vendosur në lëvizje automjetet. A mos ka hyrë kjo naftë kontrabandë.

Apo mos ndoshta nga puset e naftës në Shqipëri është nxjerrë e njëjta sasi por një pjesë e saj futet në tregun vendas dhe qytetarët blejnë naftë “Ballshi” për naftë importi?”- shkruan Dashnor Sula. Ai i bën thirrje autoriteteve që të hetojnë, ndërsa zotohet se edhe vetë do ta ndjekë këtë çështje.

Shënimi i plotë i deputetit demokrat Dashnor Sula:

Shqipëria prej kohësh rënditet si një ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Evrop sepse Ballkanin e kemi lën pas me kohë. Në mënyrë të vazhdueshme e kam ngritur këtë shqetësim në çdo dritare të mundshme.

Së fundmi vendosa të bëj një investigim të thjeshtë më sektorin e karburanteve: si Deputet i Shqipërisë i kërkova informacion Drejtorisë së Transportit Rrugor të më vendoste në dispozicion numrin e automjeteve të regjistruara në Shqipëri nga viti 2011 e deri në vitin 2021. Ndërkohë duke qenë se ne naftën që nxjerr AlbPetrol e eksporton të gjithën jashtë për ta përpunuar, kërkova nga Drejtoria e Doganave të më vendoste në dispozicion sasinë e karburantit të importuar gjithashtu që nga viti 2011.

Gjithashtu kërkova nga AKBN që të më vendosnin në dispozicion sasinë e naftës së nxierrë nga Albpetrol.

Përgjigjet që më kanë ardhur krijojne një hije të fortë dyshimi për një megaskandal.

●Në vitin 2011: 410.629 Automjete të regjistruara në shqipëri, ndërkohë sasisa e karburantit të importuar ka qenë 570 milionë e 441 mijë e 945 litra.  Pra mbi 750 mijë ton karburant të importuar.

Në vitin 2012: 394.447 automjete të regjistruara. Ndërkohë sasia e naftës së importuar 539 milionëe 85 mijë e 234 litra ose e thënë ndryshe mbi 539 mijë ton karburant të importuar.

Nuk po i marrë me radhë të gjithë vitet sepse janë në këtë dokument sepse i gjeni në tabelat përkatëse më poshtë, por po shkoj tek viti 2021.

●Rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536 milionë e 25 mijë e 971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë ton karburant.

Sakaq nga AKBN po paraqes sasinë e naftës bruto të nxjerrë nga burimet shqiptare.

Në vitin 2011 Albpetrol nxirrte 835.610 ton naftë të paperpunuar.

Ndërkohë në 2021 rezulton se nga burimet Shqiptare është nxjerrë 625.051 ton karburant.

Nëse analizojmë të dhënat e mësipërme mes vitit 2011 dhe vitit 2021 rezultin se numri i automjeteve të regjistruara në shqipër në vitin 2021 gati është dyfishuar, ndërsa sasia e naftës së importuar është më e ulët sesa në vitin 2011. Të dashur qytetar, në analizë nuk kam marrë numrin e zitorëve, apo traktorëve me zinxhir që përdoren nga kompanitë e ndërtimit e që harxhojnë 10 fish të naftës.

Kur në 2021 që kemi thuajse dyfishin e numrit të automjeteve që kishim në vitin 2011, si ka mundësi që importojmë më pak naftë sesa në vitin 2011. Nga e gjejmë ne naftën për të vendosur në lëvizje automjetet. A mos ka hyrë kjo naftë kontrabandë.

Apo mos ndoshta nga puset e naftës në Shqipëri është nxjerrë e njëjta sasi por një pjesë e saj futet në tregun vendas dhe qytetarët blejnë naftë “Ballshi” për naftë importi?

 A mos kemi të bëjmë sërish me një supër skandal me shmangje nga detyrimet?

Unë uroj që prokuroria të ngrihet në lartësinë e detyrës e të marrë në konsiderat e të hetojë këtë rast. Ndërkohë unë personalisht nuk do ta lë më kaq por do ti shkoj deri në fund kësaj çështje. Gjasat janë që të kemi miliona litra naftë të padeklaruara e detyrimisht ka një grop të madhe të zezë në buxhetin e shtetit.