Presidenti Bajram Begaj nisi dje konsultimet për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale të 2023. Ai zhvilloi takim me Ilir Metën. Ftoi dhe grupin e Berishës, duke zhvilluar konsultim me Oerd Bylykbashin. Po ashtu dhe krerët e partive të vogla opozitare që propozuan datën 14 maj për mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Grupi i deputetëve që janë pjesë e grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim” , e kryesuar prej Fatmir Mediut ishin të fundit që ishin në zyrën e Begajt për datën e zgjedhjeve.

Kreu i shtetit u konsultua dhe me paraardhësin e tij. Ilir Meta që i është rikthyer pas 5 vitesh garave elekotrale, tashmë si kryetar i Partisë së Lirisë, është gati të pranojë çdo datë që mund të preferojnë partitë e tjera.Në çdo rast, data e zgjedhjeve do të vendoset mes 15 prillit dhe 15 majit. Megjithatë duket se politika po shkon drejt të dielës së fundit të këtij afati, që është 14 maj.