Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve kreu i grupit parlamentar të PD-s, Gazment Bardhi, është shfaqur i tensiionuar lidhur me atë se pse Kryetari i Kuvendit nuk e përfshin atë në delegacionet parlamentare gjatë vizitave jashtë Shqipërisë, duke sjellë si shembull udhëtimet në Bruksel dhe Vjenë.

Sipas burimeve për TemA, Bardhi ka kërkuar sqarime mbi kriteret e përzgjedhjes së delegacioneve dhe ka lënë të kuptohet se opozita po lihet jashtë aktiviteteve të rëndësishme parlamentare në arenën ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është përgjigjur se Bardhi ka qenë i ftuar për të marrë pjesë në këto vizita, por nuk ka pranuar ftesën. Peleshi ka theksuar se praktika ka qenë përfshirëse dhe se nuk ka pasur qëllim përjashtimin e opozitës nga përfaqësimi jashtë vendit.

Në përfundim të diskutimit, palët janë dakordësuar që në vijim të ketë komunikim dhe koordinim më të mirë për vizitat e ardhshme jashtë Shqipërisë, me synim shmangien e keqkuptimeve dhe garantimin e një përfaqësimi të balancuar parlamentar./TemA