Ish-ministrja e Financave Anila Denaj ka dalë pas 2 orë e gjysëm nga ambientet e SPAK, ku u pyet në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Denaj tha shkurtimisht si person që ka pasur dijeni pasi në kohën kur është ndërmarrë koncesioni në fjalë ajo ka qenë në pozitën e drejtoreshës së Fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor.
“U mora në pyetje si person në dijeni, dhashë informacion për koncesionin e sterilizimit gjatë kohës që kam punuar në Fondin e Kujdesit të detyrueshëm shëndetësor”, tha shkurtimisht Denaj.
Më herët për këtë çështje është pyetur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Anila Denaj ka shërbyer si ministre e Financave nga janari 2019, deri në shtator të vitit 2021. Aktualisht ajo është deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës.
Prej kohësh, prokurorët e SPAK e kanë cilësuar koncesionin e sterilizimit, si një nga çështjet më të nxehta, të cilave u duhet dhënë një zgjidhje.
Në 18 korrik të vitit të shkuar, ishte ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ai që ngjiti shkallët e SPAK-ut për t’u pyetur për koncesionin e sterilizimit.
Gjatë kohës që ai drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, ka firmosur privatizimin e sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit të detyrueshëm shëndetësor (check-up). Këto koncesione janë kontestuar në publik për shkak se dyshohet se janë fituar në mënyra të parregullta.
Ishte Nisma “Thurje” që ngriti një pasi ndaj ish-ministrit Beqja dhe 11 zyrtarëve të tjerë të ministrisë së Shëndetësisë.
Më herët, ishte ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj ai që dëshmoi për të dytën herë në SPAK.
Hetimet e SPAK që zgjasin prej 3 vitesh e gjysmë, hedhin dyshime se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.
Vetëm tenderi i sterilizimit të pajisjeve mjekësore, ka një kontratë prej 12.3 miliardë lekëve, ndërsa Check Up shkon në rreth 8.7 miliardë lekë.
Në akuzat e kallëzuesve, thuhet se ky koncesion është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.
SPAK po zhvillon hetime edhe për tenderë të tjerë, të cilë dyshohet se kanë natyrë korruptive, siç është koncesioni për check up, apo kontrolli shëndetësor falas.
Pak ditë me parë, në kuadër të hetimeve për këtë tender, SPAK, mori në pyetje 70 qytetarë nga Elbasani.