Një mijë demokratë të Pogradecit do t’iu drejtohen kutive të votimit këtë të diel për të votuar kryetarin e ri të rrethit. Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës tashmë grupi i rithemelimit ka nisur riorganizimin në bazë dhe në Pogradec janë dy kandidatura.
I pari është Genti Çela një 34-vjeçar, i cili vjen nga radhët e Forumit Rinor të PD në këtë qytet. Prej 2 vitesh ai mbante pozicionin e Sekretarit Organizativ në PD-në e Pogradecit. Aktiv në median vizive dhe atë të shkruar si edhe në fushën e bamirësisë pasi prej disa vitesh ka qenë përfaqësues i Fundjavë Ndryshe duke ndihmuar familjet në nevojë. Një nga kandidaturat që duket të ketë mbështetjen edhe më të madhe nga radhët e demokratëve që mbështesin Sali Berishën.
Kandidatura e dytë është Kasem Galla edhe ky një emër jo pak i njohur në Pogradec, i cili rikandidon për këtë post pasi e ka mbajtur atë në vitet 2016-2019. Po në këtë vit rikandidimi i tij nuk u pranua më nga Lulzim Basha dhe PD më pas u drejtua nga Seit Myftari, i cili e mbante këtë pozicion deri sot. Në garën e Pogradecit janë vetëm 2 emra e duket se gara do të jetë e fortë mes një të riu që kërkon të sjellë një frymë ndryshe të lidershipit dhe një kandidati të provuar më parë në këtë pozicion.
Zgjedhjet do të mbahen pranë Pallatit të Kulturës nga ora 08:00 deri në orën 18:00.