Erion Murataj PSD

Arjan Toska, banor i lagjes “Beqir Dardha” në Elbasan, u largua nga qyteti pas një hasmërie të përgjakshme me bandën e “Mandelës”

Lufta mes tyre nisi në mënyrën më absurde: për një gotë raki! Ndoshta ujë…Një ngatërresë që u konsiderua cenim i burrërisë dhe autoritetit.

Në këtë lokal që shihni, i njohur në vitin 1997 si lokali i “Sudës”, pasditen e 14 prillit të ’97-tës, futen Arjan Toska dhe Enver Peqini. Aty ndodhej Eduart Peqini, i njohur si “Mandela”, vëllai i tij Astrit Peqini, me pseudonimin “Pelo”, djali i tezes së tyre Dashamir Bisku, i njohur si Murrashi, dy persona nga Fieri dhe një vajzë.

Këta kanë kryer krimet më të shumta në qytetin e Elbasanit në atë periudhë, dhe të gjithë janë të dënuar ose kanë ndërruar jetë” u shpreh Alban Qafa, avokat.

‘Ata kanë qenë persona të atij komuniteti personat që kishin mundësi të grupoheshin për të ruajtura territorin e vet nga ngjarje të tjera’, u shpreh  Kreshnik Muftari, pedagog i drejtësisë.

Arjani dhe Enveri, pasi përshëndesin njerëzit që ishin brenda, ulen në një tavolinë ku qëndronte i vetëm një i moshuar.

Në këtë moment kamerieri shkon në tavolinën e tyre dhe i jep një gotë me ujë të moshuarit, duke i thënë se e ke nga “Mandela”.

Duke menduar se po pinte raki, i moshuari ngriti dolli, por kur kuptoi se ishte ujë, ia hodhi kamerierit në fytyrë. Uji spërkati vajzën që ishte ulur “Mandela”, me miqtë e tij.

Mandela e konsideroi aktin e plakut si të qëllimshëm dhe e nisi me ofendime. Kur kushëriri Enver Peqini i kërkoi të qetësohej, ai e ofendoi rëndë edhe atë. Arjan Toska ndërhyri duke i thënë Mandelës të ndalonte sharjet ndaj kushëririt.

Ka nisur grindja midis Eduart dhe Enver Peqinit, e në këtë kohë ka ndërhyrë Arjan Toska duke u thënë “Nuk ka lezet të ziheni se jeni djem xhaxhallarësh”.

Ndërhyrja e Toskës vetëm sa e shtoi tensionin. Situata, degradoi në dhunë fizike mes dy grupeve që përdorën shishe dhe mjete të tjera.

Pasi dëgjon për sherrin, aty vjen edhe vëllai i vogël i “Mandelës”, Gazmend Peqini, i cili ishte ngjitur me lokalin duke luajtur bilardo.

Në këtë moment Eduart Peqini, urdhëron “Murrashin”, që të shkojë të marrë armët për të vrarë Toskën dhe djalin e xhaxhait të tij.

Pas disa minutash “Mandela”, “Pelo”, dhe “Murrashi”, kthehen të armatosur dhe qëllojnë drejt Arjan Toskës dhe Enver Peqinit, të cilët ju kundërpërgjigjen me zjarr. Nga të shtënat mbeti i vrarë Gazmend Peqini, vëllai i “Mandelës”. Arjani dhe Enveri pas ngjarjes, u larguan menjëherë nga lagja “Tabakane”, ku u rritën duke u fshehur në Cërrik…

Në momentin që janë kryer nuk është zbuluar autori, por që ka raste që janë zbuluar pas 15 vitesh dhe tani ka procese të ngritura në gjykatat e posaçme ku autorët e këtyre veprave penale po përballen me drejtësinë’ u shpreh Saida Dollani, Kryetare Apelit Gjykatës Posaçme.

Një operacion që duhej të rivendoste rendin, përfundoi në një kurth vdekjeprurës.

5 gardistë humbën jetën, 16 të tjerë u plagosën. Me urdhër të Ministrit të Rendit të kohës, Garda e Republikës u urdhërua të shkonte në Cërrik për të neutralizuar elementët e armatosur.

Gardistët nuk ishin të përgatitur për një betejë urbane. Ata mendonin se po përballeshin me një grup të vogël rebelësh. Por, përballë kishin 150 njerëz të armatosur deri në dhëmbë, të përgatitur për luftë. Grupi i armatosur e dinte mirë se gardistët po afroheshin. Pra, ata po dërgoheshin drejt kurthit të vdekjes…

Gardisti 1: “Ne nuk dinim gjë për çfarë kishim ardhur, ne erdhëm për të mbrojtur veten… Unë e kam shkrepur armën.”

“Unë jam nga Tropoja, rri në Tiranë… Çfarë të duash më thuaj, po deshe më bie edhe plumb ballit…”, tha gardisti.

“Na thanë të shkonim në qytetin e Elbasanit për të kapur këta kriminelë, ku e dija unë, nuk marr vesh nga këto punë, dhe na sollën këtu. Vetëm kur plasi pushka, e vetëm kur e kam parë veten të plagosur. Unë s’di gjë… Ne duam plumbin ballit, se këta duan të na fusin në luftë civile”, u shpreh gardisti.

Lëvizjet e pjesëtarëve të Bandës së Cërrikut tregojnë se ata kishin informacion për ndërhyrjen e gardës për çarmatimin e Cërrikut. Referuar të dhënave në dosjen hetimore, thuhet se anëtarët e bandës së Cërrikut, më 20 maj ’97, sulmuan postën e Policisë së Cërrikut. Sulmi erdhi pas emërimit në krye të këtij komisariati të Agron Kulaçajt, i cili zëvendësoi në atë kohë Fatos Suvarin. Kulaçaj njihej si njeri i afërt i presidentit të kohës, Sali Berisha, ndaj të cilit kishin shpërthyer demonstratat.

Pas sulmit në komisariat, shefi i ri, Kulaçaj, kërkoi ndihmën e Ministrit të Rendit të kohës për përforcime nga Tirana. Përmes informacionit të mbledhur gjatë hetimit, vërtetohet se organizimi i bandës së Cërrikut, i udhëhequr nga Roland Sota dhe Meti Bozi, nuk ishte një veprim spontan, por një planifikim i detajuar.

“Në qoftë se do ta quajmë atë që ju thatë një krizë, ishte viti 1997 që e tregoi qartë këtë krizë, dhe duket që në ato vite bandat morën edhe hovin e tyre. Vështirësia në fakt, e gjykimeve dhe hetimeve ka qenë e madhe, disa ngjarje mbeten ende të pazbuluara. Fakti tregon se pas shumë viteve, ndoshta edhe pas 15 viteve, janë zbuluar ngjarje kriminale dhe autorë të supozuar të tyre, çka tregon për vështirësinë në hetime ashtu edhe në gjykime”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit të Gjykatës Posaçme.

Referuar dëshmisë së kryebashkiakes së kohës, Mishelina Xhelo, Banda e Cërrikut ishte një hap për policinë në çdo informacion. Ajo rrëfen se në natën e 22 majit 1997, një grup përfaqësuesish të forcave politike dhe individë të tjerë i kërkuan që të ndërhynte dhe të ndalonte ardhjen e forcave speciale.