Partia Demokratike i kërkoi sot llogari ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro lidhur me ndërtimet e bëra në zonat e mbrojtura gjatë viteve të fundit pasi u miratua ligji i investimeve strategjike.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa tha se nga viti 2015 janë dhënë 5.8 milionë m2 tokë investitorëve strategjikë.
Në përgjigjen e saj ministra Kumbaro tha se falë investimeve të qeverisë, 5 milionë turistë vizituan zonat e mbrojtura gjatë këtij viti.
Debati
Zhupa: Në shkurt kaluat në Kuvend në mënyrë të turpshme ligjin për zonat e mbrojtura. Kumbaro e mohoi që do prekeshin zonat e mbrojtura. Nga nëntori 2024 vihet re ulja e mbrojtjes së këtyre zonave, nga shkalla e parë në shkallën e tretë. Kumbaro është ministrja më duargjatë, për të marrë dhe uzurpuar në mënyrë klienteliste pasuri kulturore dhe natyrore. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe nisi betonizimin e Butrintit. Ishte ajo që bëri VKM-në për të hequr hektarët nga zonat e mbrojtura që u kthyen pastaj në pika të vogla të investimeve strategjike. Keni vendosur të shtyni për të pestën herë afatin e ligjit të investimeve strategjike. Këtë e bëni se me ligjin e përkohshëm që bëtë në 2015 keni dhënë 5.8 milionë m2 toke investitorëve strategjikë në të gjithë vendin. Ju jeni terroristë mjedisorë. Tani keni programuar të hyni edhe në zonat e mbrojtura. Ju propozoni që jo vetëm të zgjatet afati, por deputetja propozon që tu jepen investitorëve strategjikë edhe brigjet e deteve dhe lumenjve.
Kumbaro: Ju i vizitoni bukurinë që ne ndërtojmë, por kur vini këtu nxirrni koburen e sharjeve, njësoj siç bëtë me parkun e liqenit ku cconi fëmijët tuaj. Zonat e mbrojtura nuk mund ti kthejmë në kopshte zoologjike dhe njerëzit të largohen sa hap e mbyll sytë, por të rikthehen në këto zona. Ne nuk punojmë për zgjedhjet e 2025, do prisni 11 majin kur do flasë populli. Ne punojmë për vitin 2030 dhe synimi është turizmi i qëndrueshëm. Ju propozoni batërdinë, keni ngelur akoma te modeli i vitit 1997.
Top Channel