Kombëtarja e Izraelit prej disa kohësh luan pa Eran Zahavin. Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares izralite (33 gola) nuk u ftua as në mars për ndeshjet e para kualifikuese të kombëtares së tij për në Euro 2024 dhe L’Equipe zbulon historinë e pabesueshme që qëndron pas këtij vendimi.

Në fillim të kualifkueseve, izraelitët barazuan me Kosovën (1-1), dhe më pas u mposhtën nga Zvicra (3-0), dhe shumë njerëz nuk e kuptuan pse Zahavi nuk ishte në skuadër.

L’Equipe shkruan se sulmuesi i Maccabit kërkoi që në çdo grumbullim të kishte një dhomë më vete, një favor që i është bërë vitet e fundit.

Por trajneri, Alon Hazan, vendosi t’ia mohojë këtë privilegj në fund të vitit të kaluar. Pak javë më parë Zahavi foli për një rikthim të mundshëm dhe kërkoi që të lejohej të qëndronte vetëm në ditën e ndeshjes, por tekniku refuzoi dhe pas kësaj është e vështirë të besohet se Zahavi do të rikthehet në kombëtare.

Para rifillimit të kualifikuesve në qershor, trajneri Hazan, tashmë nën presion të madh, nuk e mbylli përfundimisht dosjen e Zahavit, por më shumë se një çështje dhome, kjo aferë duket më shumë si një luftë egosh.

Zahavi luajti 70 ndeshje për Izraelin dhe shënoi 33 gola.