Tonin Stërkaj, një nga gjyqtarët e Shkodrës është përballur mesnatën e djeshme me një situatë kriminale, pasi një person ende i paidentifikuar ka vendosur një sasi tritoli në banesën e tij.
Policia ka nisur veprimet hetimore, ku mes disa personave që janë marë në pyetje, është dhe gjyqtari i Shkodrës, objektiv i këtij sulmi, Tonin Stërkaj.
Gjyqtari ka treguar në polici se në momentin kur ka dëgjuar shpërthimin, ishte në banesë së bashku me gruan e tij.
Për shkak të shpërthimit të fuqishëm, ata kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur, por asgjë s’kishin kuptuar se ky shpërthim ishte aktivizuar në banesën e tyre.
Sipas rrëfimit në polici të gjyqtarit, ka qënë një nga komshiet që i ka njoftuar se shpërtimi i fortë kishte ndodhur pikërisht në banesën e tij.
Pas këtij njoftimi, gjyqtari ka dalë për të parë derën duke konstatuar dëmtimet.
Ai ka treguar në polici se sulmi kriminal lidhet vetëm për shkak të detyrës së tij si gjyqtar, pasi jashtë profesionit nuk ka asnjë konflikt.
Të njëjtën formë deklarimi ka mbajtur dhe gruaja e tij, e cila është pyetur në polici.
Lidhur me këtë rast policia dhe prokuroria e Shkodrës kanë nisur hetimet, ku gjatë verifikimit të pamjeve filmike është konstatuar siluate e një personi që ecën në këmbë dhe afrohet tek dera e banesës së gjyqtarit Tonin Stërkaj, duke aktivizuar lëndën shpërthyese dhe më pas largohet sërisht në këmbë.
Karriera e gjyqtarit Tonin Stërkaj ka nisur në Gjykatën e Shkodrës dhe vijon të jetë funksionale në këtë institucion, duke shërbyer dhe dhënë vendime herë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe herë në Gjykatën e Apelit Shkodrës.