Për të disatën herë Brenda pak kohësh është përsëritur rasti i incestit në qytetin e Durrësit. Shtetasi 50 vjeçar me inicialet F.B është arrestuar nga policia pasi u raportua se kishte kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij kundër dëshirës së saj.

Sipas Policisë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 50 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij 27 vjeçe, kundër dëshirës së saj.

Mësohet se i arrestuari 27-vjeçaren e kishte vajzën e të vëllait dhe prej disa kohësh kishin pasur lidhje intime midis tyre. “Nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 50 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari’, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij 27 vjeçe, kundër dëshirës së saj”, sqaroi Policia.

DËSHMITË

Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën “Panorama” se vajza ka deklaruar se xhaxhai prej disa kohësh ushtronte dhunë psikologjike dhe kërkonte të vazhdonte lidhja e tyre, duke e kërcënuar se do t’u tregonte familjarëve të saj për lidhjen.

“Disa kohë më parë kemi pasur një raport bashkë. Vazhdoi për disa kohë me pëlqimin e të dyve. Më pas unë reflektova dhe kërkova ta ndërprisnim lidhjen. Por ai u bë keq dhe më kërcënonte se do t’i tregonte familjes sime për lidhjen tonë. Më bënte presion psikologjik. U gjenda në një situatë të vështirë. Sa në disa raste mendova edhe më të keqen për veten. I lutesha të më linte të qetë pasi nuk doja ta vazhdoja më, por ai nuk ndalej. Derisa vendosa ta denoncoj. Dua që ta arrestoni pasi jam shumë e frikësuar”, ka deklaruar 27-vjeçarja.

Pasi ka dëgjuar se mbesa e kishte denoncuar në Polici, 50- vjeçari u largua nga banesa dhe qëndroi disa ditë i fshehur. Por ditët e fundit Policia kishte rënë në gjurmët e tij. Pas gjetjes së vendndodhjes së 50- vjeçarit, forcat e rendit organizuan operacionin për arrestimin e tij. Në Polici ai ka mohuar ta ketë shtrënguar mbesën për të kryer marrëdhënie. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur me pëlqimin e të dyve. Pak ditë më parë një tjetër rast i ngjashëm është regjistruar në Durrës.

Një 17-vjeçare kishte krijuar një lidhje dashurore me kushëririn e saj (djalin e hallës) 7 vite më të madh, me të cilin ka qëndruar gjatë kohës që ishte larguar nga shtëpia. Sipas Policisë, ata kishin marrë një apartament me qira në lagjen 13 të qytetit dhe kishin shkëputur kontaktet me familjarët.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe të kërkimeve për gjetjen e një 17-vjeçareje që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, është bërë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së saj. Gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e plazhit, në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Sh. F., 24 vjeç, banues në Durrës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të strehuar 17- vjeçaren që ishte larguar nga banesa”, deklaroi Policia, ndërsa gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 400 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, të cilën ky shtetas e shiste me doza në zonën e plazhit në Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren.