Ora News”, zbardh dëshminë e Euglen Halilit, bashkëpuntorit të prokurorisë së posaçme SPAK, i cili tregon rreth rolit të tij në vrasjen e Emiljano Ramazanit “Ili i Elbasanit” dhe mikut të këtij të fundit, Regis Runaj.
Halili, ka treguar se pjesëmarrja në këto dy vrasje, është shtyrë nga shoku i tij, Xhulian Hoxha, i cili thuajse çdo ditë i jepte shuma financiare që varionin nga 20 mijë lekë të vjetra deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Sipas dosjes hetimore dosjes hetimore që “Ora News” e disponon, thuhet se Halili është zbuluar nga një gjurmë gishte e fiksuar në motorin që përdori për vrasjen me 27 goditje thike të Regis Runaj.
Kjo provë u mbështet dhe nga një provë tjetër e pa kundërshtueshme, që ishin njollat e gjakut të Rigis Runaj në motorin e Halilit, i cili u gjend në oborrin e banesës së tij.
I ndodhur në këtë situatë dhe në një pozitë që nuk ishte paguar për “punët e kryera”, Euglen Halili, ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë. Sipas bashkëpunëtorit të Drejtësisë, ekzekutimi i parë, që lidhet me “Ilin e Elbasanit”, ishte një vrasje e paramenduar kohë më parë, siç ishte paramenduar dhe vrasja e Regis Runaj.
Sipas tij për të dyja këto vrasje, kishte vetëm një person të interesuar, që i penduari nuk e njihte për fytyrë. Por që ishte pikërisht ky i panjohur që kishte financuar të dyja vrasjet. Sipas dëshmisë së Halilit, nga shoku i tij Xhuliano, i ishte thënë se ky personazh që i interesonin vrasjet ishte person shumë i fuqishëm dhe që do paguante mirë.
Por i penduari në dëshminë e tij, megjithëse pranon se ka marrë pjesë në survejimin e Ramazanit, ai nuk ishte në gjendje të tregonte emrin se kush ka qenë personi, që ka qëlluar mbi Emiljano Ramazanin.
Survejimi i përpiktë i “Ilit të Elbasanit”
Në dëshminë e tij ai tregon se: ”…unë vetë së bashku me Xhulian Hoxhën jemi përfshirë në vrasjen e Emiljano Ramazanit, ndodhur një javë para vrasjes së, Regis Runaj. Prej rreth dy muaj para ngjarjeve, Xhulian Hoxha, të cilin e pata njohur për shkak të marrëdhënies së punës që pat pasur babai me të atin e Xhulianos, më ka ofruar të “bënim një punë” që do ishte shumë fitimprurëse.
Xhuliano më pati thënë se duhet të ndiqnin lëvizjet e një personi në Elbasan, pasi dikush tjetër që fshihej pas Xhulianos, ishte i interesuar ta vriste. Ndaj për informacionet që do i jepja, Xhulianos dhe më pas ky i fundit, personit që qëndronte i fshehur, do paguheshim shumë mirë.
Unë jam joshur nga oferta e Xhulianos dhe pranova të bëja këtë punë, duke ndjekur, lëvizjet në qytet të Emiljano Ramazanit. Pas çdo ndjekje që bëja i raportoja, Xhulian Hoxhës, në takimet që bënim në shtëpinë e këtij të fundit, por dhe në bare dhe vende të tjera.
Unë hyja dhe dilja, gati përditë në shtëpinë e Xhulianit, që jeton me bashkëshorten, Artencën dhe kishin një fëmijë të vogël. Siç më thoshte Xhuliani, personi që ishte i interesuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit, banonte në pallatin përballë tij, në katin e
dhe se atij i kishin pas vrarë vëllanë dhe donte të hakmerej, ngaqë Emiljano, kishte pas ndihmuar në atë ngjarje ekzekutorët e krimit.
Unë e ndiqja nga pas me motor gati përditë viktimën e pritshme, Emiljano Ramazani. Kisha vënë re se nga ora 12-15:00 ai frekuentonte pothuajse përditë një palestër. Për këtë gjë e kam informuar Xhulianin dhe unë e shihja se ai në të njëjtën kohë i shkruante në telefon personit tjetër, që fshihej pasj Xhulios.
Për ditët që kam ndjekur Emiljano Ramazanin deri në datën 20 korrik 2020, Xhuliani, më jepte shuma të hollash që varionin nga 20 mijë lekë të vjetra deri në 200 mijë lekë të vjetra. Ditën e ngjarjes, unë ndoqa Ramazanin nga pas me motor dhe pashë makinën e tij “Ford Fokus” të parkuar në rrugën para palestrës.
Për këtë kam njoftuar Xhulianin, i cili erdhi dhe e shoqëruan së bashku me motor Ramazanin nga palestra në afërsi të shtëpisë së tij. Xhuliani i shkruajti me telefon të interesuarit për këtë. Po këtë ditë rreth orës 16:00, u vra me armë zjarri, Emiljan Ramazani.Të dy si unë si Xhuliani, e pamë në televizor vrasjen e tij…”-ka treguar bashkëpuntori i prokurorisë. Ndërsa të gjitha bisedat në distancë rreth kësaj vrasje, Halili tregon se i ka kryer me Xhulianon me një aparat telefonik që ja kishte dhënë vetë ai.