Viktor Martini, një nga figurat më të rëndësishme të periudhës postkomuniste në Shqipëri dhe një dëshmitar i gjallë i krimeve dhe vuajtjeve të regjimit diktatorial komunist, tregon se si të përndjekurit politikë u persekutuan edhe në demokraci, pikërisht nga ata që i kishin besuar, demokratët.

Ai dhe familja e tij kanë kaluar së bashku mbi 107 vite në burgjet e regjimit, duke përjetuar një ndër format më të rënda të përndjekjes politike në vend, raporton korrespondenti i Top Channel në Shkodër, Klodian Zhivani.

Gjatë një aktiviteti të mbajtur në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, Martini hodhi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai tregoi se, pas lirimit nga burgu, themeloi Shoqatën e të Përndjekurve Politikë dhe mbështeti Partinë Demokratike në ditët e para të tranzicionit, me shpresën për një Shqipëri të re dhe të lirë.

Megjithatë, sipas tij, realiteti ndryshoi shpejt. Pas një fjalimi që mbajti në SHBA, ku u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës të ktheheshin për të dhënë kontributin e tyre dhe për të penguar rikthimin e rrënjëve komuniste në pushtet, ai u përball me një tjetër formë persekutimi, këtë herë në demokraci.

Kur u rikthye në Shqipëri, Martini tregon se Berisha i premtoi një pozicion diplomatik në Qipro, por në të vërtetë ai ishte caktuar për të punuar si punëtor bujqësie dhe blegtorie. Këtë e konsideron si një formë përuljeje dhe eliminimi nga jeta publike, duke treguar se edhe në sistemin e ri demokratik, të përndjekurit vazhduan të margjinalizoheshin.

Përballë zhgënjimit dhe presionit të vazhdueshëm, familja Martini ashtu si shume familje te persekutuara, u detyrua të emigrojë në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të viteve 1990, Viktor Martini dhe bashkëshortja e tij u vendosën në Boston, ku vazhduan angazhimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe në ruajtjen e kujtesës historike mbi krimet e komunizmit në Shqipëri.