Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili është prangosur në Itali, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Agim Kajmaku është arrestuar më 27 maj të 2022 në zonën e San Benedeto del Tronto me 20 kg kokainë.
Bëhet ne dije se Kajmaku prej 8 muajsh ishte në vëzhgim nga autoritetet italiane, pasi dyshonin për veprimtari të paligjshme te Kajmaku. Madje ata kishin instaluar kamera në disa akse, banesa dhe lagje, ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj.
Ai është arrestuar në flagrancë me 20 kg kokainë. Drogën ish-kryebashkiaku i Vorës e kishte fshehur në vazo lulesh.
Kujtojmë që Kajmaku Prej 11 nëntorit të vitit 2019 Kajmaku ishte në kërkim, pasi Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për të, por për muaj me radhë ai arriti të fshihej nga uniformat blu.
Fillimisht Agim Kajmaku u denoncua nga Partia Demokratike se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash, ndërsa rezultoi e vërtetë që në vitin 2003 ishte në kërkim për këtë akuzë por nuk ishte kapur për shkak se kishte ardhur në Shqipëri.
Kajmaku e fshehu këtë në formularin e dekriminalizimit, por pas publikimit të fakteve u shkarkua nga detyra pak muaj pasi ishte bërë kryebashkiak i Vorës.
Edhe pse KQZ e shkarkoi, ai vazhdonte të ushtronte funksionin e tij, duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn dhe duke zgjedhur Gent Picarin në këtë post, i cili u shkarkua më vonë.
Mbi Kajmakun rëndojnë 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.