Një 16-vjeçar afgan, i cili nën presion shfrytëzohej për punë është shpëtuar nga ana e Policisë së Shkodrës.
I mituri, kishte mbërritur në Shqipëri disa muaj më parë me qëllimin për të kaluar në Mal të Zi e me pas në vendet e Bashkimit Europian. I mbetur pa para, ai ka vendosur të punojë në servisin e familjes Pashuku në Bërdicë të Shkodrës.
Pas rreth 2 muajve punë, në këtë fillim tetori, afgani u ka thënë pronarëve se do të largohet dhe nuk do të dalë më, por kjo është kundërshtuar nga drejtuesit e servisit. Këta të fundit, dyshohet se edhe nën presion, i kanë kërkuar me çdo kusht të riut që të qëndrojë edhe për disa kohë në servis dhe pastaj të largohet.
Në këto kushte dhe i vetëm, i mituri ka njoftuar familjen e tij dhe më pas, edhe policinë. Uniformat blu të Shkodrës kanë ndërhyrë duke shpëtuar të miturin dhe kanë arrestuar njërin prej djemve të familjes Pashuku, Alehandron 18 vjeç që akuzohet për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe kanë shpallur në kërkim djalin tjetër, Kristjan Pashukun për veprën penale “Trafikim i të miturve”.
Policia e Shkodrëss njofton se janë proceduar penalisht edhe vëllai tjetër dhe kryefamiljari i familjes Pashuku. Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.
Top Channel