Plagosja e së enjtes në Durrës, ku mbeti i plagosur një 70 vjeçar, ka si motiv një borxh mes autorit dhe djalit të të dëmtuarit. Burime nga grupi i hetimit thanë për ABC News se 31 vjeçari që kishte një marrëdhënie pune me djalin e të plagosurit pretendon se i ka një shumë parash të palikujduar.
Pasi nuk ka arritur të zgjidhë problemin e pagesës me djalin e 70 vjeçarit, pasditen e së enjtes, Adil Hizdari ka shkuar të takonte Fadil Hundën. Ky i fundit nuk e ka pritur mirë dhe ka refuzuar t’i jepte paratë që pretendonte 31 vjeçari.
Në këtë moment janë nxehur gjakrat dhe një debati të ashpër verbal dhe fizik, 31 vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar tre herë të moshuarin.
Mësohet se 70 vjeçari ka marrë dy plagë në pjesën e bustit, por për fatin e tij të mirë, plumbat nuk i kanë prekur organet jetike. Ai ndodhet në spitalin e Durrësit nën kujdes intensiv mjekësor jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka vënë në pranga 31 vjeçarin Adil Hizdari, i cili ka deklaruar se këtë akt e ndërmori pasi familja Hunda që e kishte punësuar nuk pranonte t’i jepte të gjitha paratë që kishin rënë dakord për kryerjen e punës. 30 vjeçari punonte si shofer transporti./abcnews.al