Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Tiranë. Viktima Bujar Nasufi ka dalë nga mobileria e tij në rrugën “Irfan Tomini” rreth orës 20:20 me automjetin e tij tip Benz ngjyrë gri për të shkuar në drejtim të banesës së tij në rrugën “Myrte Zeneli”.

Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se autori, i maskuar dhe me motor si shpërndarës picash, pasi e ruajti sapo mbërriti në afërsi të banesës së tij, e priti deri sa bashkëshortja e tij zbriti nga makina.

Teksa po parkonte, 56-vjeçari u qëllua nga një distancë shumë e afërt, me armë të tipit pistoletë. 6 plumba u shkrepën, dy nga të cilët rezultuan fatal për 56-vjeçarin. Sa i përket motiveve të ngjarjes, policia nuk ka mundur zbulojë konflikte të hapura të viktimës, pasi 56-vjeçari njihej si person i qetë.Pista e vetme dhe kryesore që po heton policia është ajo e konflikteve për pronat. Familja Nasufi është nga Tirana, që prej kohës së diktaturës jetojnë në zonën e Selitës së vogël, e përbërë nga 4 vëllezër, janë pronarë të disa bizneseve në rrugën “Irfan Tomini”. Familjarët kanë deklaruar se pronat janë ndarë që herët dhe s’ka pasur probleme mes vëllezërve. Viktima është babai i një djali 6-vjeçar.

(Balkanweb)