Policia ka bërë të mundur arrestimin e Lindion Hakës, djalit të ish-kandidatit të Partisë Demokratike në zgjedhjet bashkiake të 2022, Luan Haka.

Nderkaq burime jo zyrtare bejne me dije se ai eshte vetedorezuar diten e sotme duke shkuar vete ne zyrat e policise se shtetit.

Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se i riu 21-vjeçar ka rënë në pranga pasi një ditë më parë u shpall në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Fake Star 5”.

Gjithashtu, përpos Hakës, është bërë i mundur edhe arrestimi i shtetasit turk, Ozkan Sulun, i cili akuzohet se koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.

Kujtojmë se një ditë më parë, Policia bëri me dije se falë hetimeve ranë në gjurmët e dy magazinave të pozicionuara në “Rrugën e Arbrit”, në fshatin Brrar.

Në kuadër të këtij operacioni ranë në pranga Luan Haka, Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, Arjan Hida, ndërkohë që u shpall në kërkim djali i tij, Lindion Haka si dhe shtetasi turk Ozkan Sulun. Ndërkohë, që u proceduan penalisht edhe katër punonjësit e këtyre magazinave.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.

Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.

Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.

I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.

Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.

Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.

Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.