Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me 1 vit burg ish-kryetaren e Bashksisë së Gjirokastrës Zamira Rami, dënim i cili do të shlyhet duke kryer punë me interes publik.
Rami është gjetur fajtore për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas denoncimit të bërë nga dy qytetarë për prishjen e banesave të tyre, në kuadër të projektit të rilindjes urbane.
Sipas SPAK Rami ka prishur dy banesa në Gjirokastër, të cilat kanë qenë me dokumentacion të rregullt, duke shkaktuar një dëm prej 5 milionë lekë të reja.
“SPAK e akuzoi ish-kryetaren e Bashkisë Gjirokaster se në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane“.
Sipas SPAK, shkeljet janë kryer gjatë zbatimit të projektit për ‘Rikonstruksionin e rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit’ si dhe për ‘Rikualifikimin e hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”.
Rami u gjykua me proces të shkurtuar, duke iu ulur në këtë mënyrë 1/3 e dënimit, ndërsa vendimi pritet të apelohet nga ish-zyrtarja.
Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se nuk ishin dëmshpërblyer. Më pas dosja u transferua për kompetencë në SPAK.
Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 54.47 % të votave. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.
Faxweb