Banorët e fshatit Rinas kanë dalë sërish në protestë këtë të martë për shkak të vendimit për devijimin e rrugës, për të lehtësuar qarkullimin e për ta bërë me një sens lëvizje drejt Aeroportit.
Ata theksojnë se ky vendim prek të gjitha aspektet e jetës së tyre, nga dërgimi i fëmijëve në shkollë, aksesi për në tokat e mbjella për t’i punuar apo deri tek problemet shëndetësore e rastet e vdekjeve. Për të dalë nga fshati, sipas tyre kthimi është shumë i vështirë me devijimin e bërë, pasi duhet të përshkojnë shumë kilometra deri në Vorë që të mund të hyjnë sërish në fshat.
Ndërkohë kryeplaku i fshatit u ka dhënë një garanci se në mënyrë konfidenciale ka marrë një përgjigje nga autoritetet se qarkullimi për banorët e fshatit do të lejohet deri tek Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”.
Këtu janë disa nga prononcimet e tyre për mediat nga protesta:
“E sot jemi këtu prap nëse e realizojmë nesër deri në 6 të mengjesit mirë, nëse jo, ne këtu do jemi prapë. Fëmijët duhet 30 kilometra me i sjell për në shkollë. Kështu është gjithë fshati”.
“Deri në 12 do jemi këtu, pastaj të shohim si do reagojnë se mund të ketë dhe probleme më të mëdha që nuk i parashikojmë dot ne”.
“Jam këtu për lirimin e rrugës na kanë bllokuar krejt. Duhet me bo rrethrrotullimin 24 km për 3 km. Jemi banorë që lëvizim, duhet të bëj 24 km që të vij në aeroport”.
Ne nuk kishim njoftim, vetëm në mëngjes kur dolëm për në punë ishte polici që tha nuk lejohet lëvizja”.
i besojnë garancisë që u dha kryeplaku?
“Jo asnjë herë në botë”
“Garanci pa ardhur një njeri të na sqarojë, me fjalën e kryeplakut ne ikim por nesër vijmë prapë këtu. Jam në burg me ajrim për një gjë të vogël duhet me dal në rrugë kryesore dhe s’mund të hysh mbrapsht më”.
“Do dilet prapë nesër me kalamaj shkolle se nuk kemi nga me shku. Jemi pezulluar komplet si fshat, ne prandaj kemi dalë. As në 97 nuk kemi pas probleme si fshat.
Janë 100 banorë janë 600 e ca votues po kërkojmë të lëvizim brenda përbrenda fshatit se me vdek një komshi nuk mund të vijmë”.