FSHF ka reaguar ditën e sotme për dhunën e ndodhur në ndeshjen e U-19 të Kategorisë Superiore, Football Republic dhe Teutës në kompleksin e ekipit vendas.
FSHF dënon dhunën me ashpërsi, ndërkohë ka një kritikë për Policinë e Shtetit, për të cilën thotë se nuk ka reaguar në kohë në rastet e mëparshme të dhunës.
Reagimi i plote:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Football Republic-Teuta, e vlefshme për Grupin B të Kategorisë Superiore U-19.
FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar autorët e ngjarjes së rëndë dhe kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatës, bazuar në Kodin e ri Penal.
Dëshirojmë të theksojmë se në shume raste Policia e Shtetit nuk ka vepruar në kohë dhe autorët e ngjarjeve të mëparshme ndodhen ende të lirë.
Një thirrje shkon dhe për sistemin gjyqësor në Shqipëri, që duhet të zbatojë me rigorozitet Kodin Penal, i cili ruan shenjtërinë e fushës së blertë.
FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e lojës më të dashur të shqiptarëve nga sjelljet e turpshme të disa prindërve dhe autoriteve që nuk reagojnë në kohë.
(E.H/Faxweb.al)