Tre të arrestuar dhe shtatë të proceduar, mes tyre sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, është bilanci i dhunës së ndodhur ditën e djeshme në derbin “Partizani-Tirana”.

Në përgjigje të akuzave të ardhur dje nga FK Partizani se incidente mund të ishin shmangur nëse strukturat përgjegjëse do të kishin vepruar me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm, policia u shpreh se ka qenë ky klub që nuk i është përgjigjur njoftimit të bluve, se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme.

“Në lidhje me pretendimet mbi mbarëvajtjen e ndeshjes dhe masat e marra nga Policia e Tiranës, sqarojmë për opinionin publik se:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pas marrjes së kërkesës për marrje masash më datë 03.02.2025 nga K.F. Partizani, ka njoftuar organizatorët më datë 04.02.2025 se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme.
Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Përpjekjet e Policisë së Tiranës për të mbajtur situatën nën kontroll kanë qenë maksimale, por mbetet e qartë se mungesa e bashkëpunimit nga organizatorët dhe infrastruktura e papërshtatshme e ka vështirësuar ndjeshëm detyrën e policisë, duke e rënduar ngarkesën operacionale dhe duke ekspozuar efektivët ndaj rreziqeve të panevojshme. Po ashtu, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatorët dhe institucionet përkatëse, me qëllim që veprimtari të tilla të zhvillohen në ambiente që përmbushin standardet e sigurisë, duke shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme”, sqaron Policia.

Deklarata e plotë e klub “Partizanit”:
FK Partizani dënon me forcë incidentet e ndodhura sot në derbin e zhvilluar në “Arena e Demave”, incidente që mund të ishin shmangur nëse strukturat përgjegjëse do të kishin vepruar me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.
Që prej datës 3 shkurt 2025, përfaqësuesit e klubit tonë kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur takim me Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe Komisariatin nr. 4, për të bashkëpunuar dhe koordinuar organizimin e derbit në këtë stadium, duke qenë se ishte hera e parë që ky takim zhvillohej në këtë arenë. Me keqardhje, jo vetëm që drejtuesit e këtyre institucioneve refuzuan të takoheshin me ne, por me një arrogancë të pashpjegueshme deklaruan se nuk e marrin përsipër sigurimin e këtij eventi, duke kërkuar të mos kontaktohen më për këtë çështje.
Gjithashtu, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Federatën Shqiptare të Futbollit, me qëllim që ky takim të zhvillohej normalisht, duke përfshirë të dyja tifozeritë në stadium. FSHF na ka konfirmuar zhvillimin e ndeshjes dhe ka kërkuar nga ne të marrim masat përkatëse në kuadër të përgjegjësive që ka një klub futbolli, të cilat i kemi respektuar maksimalisht.
Sot, si pasojë e së njëjtës mendësi të papërgjegjshme dhe arrogante, Policia e Shtetit mbërriti me vonesë në takim, duke krijuar një boshllëk sigurie, i cili bëri që përplasjet mes dy tifozerive të transferoheshin brenda në stadium. Pamjet e shëmtuara të dhunës, të ndodhura para fillimit të takimit, janë një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së koordinimit, bashkëpunimit dhe gatishmërisë nga ana e Policisë.