Ngjarje shqetësuese dhune në familje janë regjistruar në qytetet e Vlorës dhe Sarandës. Një grua 43-vjeçare në Vlorë është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka plagosur me thikë babain e saj 74-vjeçar pas një konflikti në banesë. Fatmirësisht, i moshuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në Sarandë, një 15-vjeçar po hetohet nga autoritetet pasi ka goditur me grusht babain dhe gjyshen e tij, gjithashtu gjatë një konflikti për motive të dobëta. Policia ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal ndaj të miturit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasen Z. N., 43 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se në banesën ku jeton së bashku me prindërit e saj, gjatë një konflikti në familje, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), babain e saj, shtetasin K. Gj., 74 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për një shtetas të mitur, 15 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Sarandë, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grusht babain dhe gjyshen e tij.