Zbardhet diskutimi mes deputetit Tomor Alizoti me kreun e PD-së, Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar pak para nisjes së seancës në plenare.
Alizoti i ka tërhequr vëmendjen Bashës se kriza në PD duhet zgjidhur në të kundërt, sipas tij, Rama do të mbretërojë në Shqipëri.
Alizoti: Z. kryetar, Partia Demokratike është në një situatë të vështirë, demokratët janë në një situatë të vështirë, militantët janë futur në një hall të madh. Unë s’mund të sillem sikur këtë gjë nuk e shikoj. Ka një krizë në PD, dhe kjo krizë duhet zgjidhur, ndryshe Rama do të kthehet në një mbret të shqiptarëve. Nuk diskutoj këtu cili ka të drejtë dhe cili jo, jam këtu për të thënë që ka një krizë, dhe ne duhet ta pranojmë, nuk duhet ta anashkalojmë, por duhet t’i japim zgjidhje.Nuk bëj pjesë në asnjë palë. Me intereson partia të cilën e kam ndjekur që në moshë të re. Më interesojnë demokratët, më intereson PD.
Në përgjigje Basha është shprehur se duhet të mbeten të fokusuar te hallet e qytetarëve. Basha ka nënvizuar se nuk ka ushtruar presion ndaj askujt për të mos qenë në foltore ndërsa ka pretenduar të kundërtën për palën tjetër.
Basha-Alizotit: Qytetarët janë me halle. S’duan të dinë për Bashën e Berishën. Askujt nuk i kam thënë apo urdhëruar të jetë apo të mos jetë në aktivitetet e Berishës. Përkundrazi, kam pafund sms që nga ana tjetër janë presionuar. Kryetar degësh dhe deputetë janë kërkuar që të jenë në foltore. Të thotë njeri këtu që unë i kam kërkuar të mos shkojë në takimet e Berishës. Një të më thotë!