Në ditën botërore të përkujtimit të viktimave nga aksidentet rrugore, në Fier është zhvilluar një aktivitet sensibilizues nga Policia Rrugore. Drejtoria e policisë së qarkut Fier në bashkëpunim me drejtorinë Arsimore dhe spitalin rajonal ka improvizuar një aksident rrugor me qëllim sensibilizimin e të gjithë përdoruesve të rrugës për parandalimin e aksidenteve.
“Fieri është qark nyje lëvizëse e të gjithë jugut dhe si e tillë patjetër që fluksi i madh i lëvizjes së mjeteve është precedent për aksidente. Pavarësish punës aksidentet rrugore vazhdojnë të jenë problematikë në raport me jetën e njerëzve. Kush janë shkaktarët? Kryesisht janë drejtuesit e mjeteve, por aksidentet rrugore janë të shumta edhe në marrëdhënie me kalimtarët. Këtë vit kemi 5 viktima më pak se vitin e klauar në aksidente”, tha Ylli Kondi shefi i qarkullimit rrugor në Fier.
“Kujtojmë të gjithë viktimat e aksidenteve rrugore. Institucionet arsimore kanë luajtur dhe luajnë rol të rëndësishëm nëpërmjet kurrikulës shkollore për zbatimin e sinjalistikës rrugore. Jeta nuk është një pjesë makine, jeta është e shtrenjtë. Ju drejtohem të gjithë grupmoshave të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë sinjalistikën. Vijat e bardha janë në çdo shkollë. Madje dhe policia rrugore ndodhet pranë shkollave. Do vazhdojmë bashkëpunimin siç kemi vazhduar për sensibilizimin e të gjithë grupmoshave. Kemi bërë fushata, thashë s’na ka munguar është kurrikula e tillë, ora edukative… Kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë fushata me të gjithë faktorët për të shmangur aksidentet”, tha Majlinda Hyka drejtoresha e Drejtorisë Arsimore në Fier.
Aksidentet rrugore janë kthyer në një problematikë për shoqërinë duke shkaktuar dhjetëra të vdekur çdo muaj në Shqipëri. Sipas të dhënave nga INSTAT, përgjatë periudhës janar-tetor 2021, humbën jetën në aksidente rrugore 165 shqiptarë. Ky tregues është përkeqësuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ku në rrugët e Shqipërisë vdiqen 153 persona.