Një parti e re i shtohet skenës politike shqiptare. Bëhet fjalë për “Djathtas 1912”, një grupim politik ku bëjnë pjesë disa nga deputetët demokratë që nuk kanë pranuar të bashkohen me Sali Berishën, por i kanë qëndruar besnikë Lulzim Bashës.
Ata janë Enkelejd Alibeaj, Oriola Pampuri, Flutura Açka, Arbi Agalliu dhe ish-kryebashkiakë demokratë që kanë qenë në detyrë gjatë kohës së drejtimit të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha. Veçohet këtu, Agron Kapllanaj i Mallakastrës.
Prezantimi i partisë së re “Djathtas 1912” i është besuar Edvin Kullurit, i cili i ka qëndruar besnik këtij grupimi që në fillim.
Është e paqartë sesi do të funksionojë kjo parti e re dhe kush do të qëndrojë në krye të saj, pasi Lulzim Basha nuk është i pranishëm në daljen publike të themelimit, por në krye të tryezës qëndron Enkelejd Alibeaj, shkruan newsbomb.al.
Ndërkohë, edhe publikisht ky grupim është identifikuar si “demokratët euroatlantikë”, ndërsa sot partia e re ka një emër krejt tjetër, “Djathtas 1912″.
“Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë, i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të gjithë e kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për ne përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, veteqeverisjen dhe besimin.
Ne besojmë tek individi dhe të drejtat natyrore, politike e ekonomike e të patjetërsueshme, për jetën, lirinë, ndërgjegjen, fjalën e lirë dhe ushtrimin e lirë të fesë, të drejtën për të qenë i lumtur, për të pasur pronë, për të ndërtuar pasuri dhe për të mbrojtur veten dhe familjet. Dinjiteti i njeriut është baza themelore e lirisë së tij”, ka thënë ndër të tjera Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tij.